Thaçi ptakon komandantin e KFOR-it
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, priti në një takim njoftues komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral-Majorin Guglielmo Luigi MIGLIETTA, i cili ka marr postin në muajin gusht 2015.
Zëvendëskryeministri Thaçi i ka uruar mirëseardhje komandantit Miglietta dhe ka shprehur gatishmëri që të vazhdohet me fuqizimin e bashkëpunimit të shkëlqyer me KFOR-in. Zëvendëskryeministri Thaçi e njoftoi komandantin e KFOR-it Miglietta për të arriturat në Kosovë, me theks të veçantë për të arriturat në muajin e fundit.
“Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjët dhe ka nisur procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon”, është shprehur zëvendëskryeministri Thaçi.
Dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për mundësitë që vala e refugjatëve të prekë Kosovën, për çështjen e pjesëmarrjes së qytetarëve kosovarë në luftërat e huaja dhe për protestat e paralajmëruara në Kosovë, për të cilat zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se vetëm dhuna është e papranueshme.
Komandanti i KFOR-it Miglietta është shprehur në favor të vazhdimit të bashkëpunimit të shkëlqyer që ka KFOR-i me institucionet e Kosovës dhe ka vlerësuar se gjendja në Kosovë mbetet e qetë dhe stabile.