Thaçi : Qeveria e re do ndërtohet duke respektuar rezultatin zgjedhor të 8 qershorit
Kryeministri i Kosoves Hashim Thaçi ne mbledhjen e qeverise qeveriePRISHTINË, 28 Tetor /ATSH-B. Jashari/.- “Qeveria e re e vendit do të ndërtohet duke respektuar rezultatin zgjedhor te 8 qershorit dhe duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi sot kryeministri kosovar e kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi.
Në një psotim në rrjetin social Facebook Thaçi shprehet se “Kosovës i duhen institucione të qëndrueshme, efektive dhe shumë përfshirëse të fokusuar në krijim të vendeve të reja të punës”.
“Zgjedhjet e 8 qershorit ishin të lira, demokratike dhe transparente. Këto zgjedhje u organizuan për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. U shënua sukses historik për shtetin tonë të ri. Institucionet qendrore dhe lokale po shtrinin autoritetin shtetëror në gjithë territorin. Sovrani, populli foli dhe u deklarua lirshëm”, shkruan ai në Facebook.
Ashtu siç pritej, vijon Thaçi, Partia Demokratike e Kosovës shënoi fitore të pastër, bindëse dhe spektakulare.
“Por, fat të keq për vendin dhe qytetarët, edhe pesë muaj pas zgjedhjeve, ndërtimi i institucioneve mbahet i bllokuar. Koha kur Kosova qeverisej nga liderë që përjetësisht nuk kanë arritur të fitojnë numra dyshifrorë në zgjedhje të lira, ka mbaruar përgjithmonë”, shprehet Thaçi.
Sipas rezultateve përfundimtar të zgjedhjeve të 8 qershorit, të shpallura e të çertifikuara nga KQZ, koalicioni i PDK-së ka 30,38 % të votave – 37 deputetë , ndërsa LDK 25,24 % – 30 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje 13,59 % – 16 deputetë, AAK 9,54% – 11 deputetë, Nisma për Kosovën 5,15% – 6 deputetë. Nga subjektet e komuniteteve pakicë, Lista Srpska (Srpska Lista) ka 5,22% të votave – 9 deputetë, Partia Demokratike Turke e Kosovës (Kosova Demokratik Türk Partisi) 1,02% – 2 deputetë, Koalicioni Vakat i komunitetit boshnjak (Koalicija Vakat) 0,89% – 2 deputetë. AKR me 4,67 % të votave nuk kalon pragun 5% për të hyrë në Kuvendin e Kosovës