Thaçi: Rio 2016, moment historik për Kosovën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e parë të vizitës së tij në Rio të Brazilit, ka marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit të Republikës së Kosovës, të organizuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, në prag të hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Verore “Rio 2016”.

“Ngritja e flamurit të Kosovës përkrah flamujve të tjerë botëror përbën një moment historik për shtetin tonë”,  vlerësoi presidenti Thaçi.

Ai, gjatë ditës takoi edhe tetë sportistë kosovarë, që ditëve në vijim do të marrin pjesë në gara të ndryshme.

Presidenti Thaçi u uroi sukses sportistëve nga Kosova, duke thënë se ata tashmë janë kampionë, meqë po përfaqësojnë për herë të parë flamurin dhe simbolet e shtetit të Kosovës në Lojërat Olimpike në Rio.

Me ftesë të Presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, presidenti Thaçi mori pjesë në darkën solemne, ku të pranishëm kanë qenë shumica e krerëve shtetërore të vendeve pjesëmarrëse në Olimpiadë.

Me këtë rast, presidenti Thaçi zhvilloi takime kortezie me presidentë të një numri të madh shtetesh që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe të atyre që nuk e kanë marrë një vendim të tillë.

Gjithashtu,Thaçi takoi Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, të cilin e falënderoi për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në vitet e fundit.

Në mbrëmje, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë në ceremoninë solemne të hapjes së Lojërave Olimpike Verore “Rio 2016″.

SHKARKO APP