Thaçi: Serbia genocid në Kosovë, do e padisim në GJND
Kosova do të ngrejë një padi ndaj Serbisë, për të paguar dëmet gjatë luftës 1998-99. Kështu është shprehur zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve "Anadolu". "Aktualisht jemi duke diskutuar dhe punuar në këtë aspekt", ka thënë Thaçi. Sipas tij, Kosova do të dërgojë padinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, pas vlerësimit të "rrethanave të brendshme dhe ndërkombëtare", por pa specifikuar se kur do të ndodhë dorëzimi i kësaj akuze.
"Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Ne kemi fakte, dëshmitarë dhe për këtë është në dijeni e gjithë bota. Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, ndaj ne do të mundohemi të gjejmë rrugë ligjore për ta adresuar këtë padi kundër Serbisë, për gjenocidin e kryer", ka shtuar kryediplomati i Kosovës.