Thaçi: Serbia pati diskutim agresiv në takimin e Brukselit

Ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel mes Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Pasi ka dalë nga takimi, Hashim Thaçi u shpreh se askush nuk ka arsye të frikësohet në ballafaqimin me Serbinë.

Gjithsesi Thaçi e ka vlerësuar shumë të vështirë takimin që zhvilloi në Bruksel me homologun serb Aleksandar Vuçiç.

“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga Serbia dhe Vuçiç derisa diskursi ynë ishte i argumenteve dhe i anës së drejtë për arritjen e një marrëveshje të balancuar që do të nënkuptonte njohjen reciproke dhe hyrjen në OKB dhe zëvendësimin e rezolutës 12/44’, tha Thaçi.

Tha se takimi i radhës do të mbahet se shpejti derisa shpreson në arritjen e një marrëveshje finale.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me nervozizëm u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas përfundimit të takimit me homologun e tij nga Kosova, Hashim Thaçi.

Vuçiçi ka thënë se “Serbia është e hapur për dialog, por edhe pala tjetër duhet të respektojë marrëveshjet”.

Një pjesë të madhe të diskutimit të tij, Vuçiçi e ka orientuar me kritika drejt vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vënë taksë prej 10 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja.

“Çfarë janë në gjendje të respektojnë shqiptarët nëse nuk janë në gjendje të respektojnë marrëveshjet të cilat i kanë nënshkruar para 10 vjetësh”, ka thënë Vuçiç.

SHKARKO APP