Thaçi takon Hahn: Bashkëpunim në përparimin e axhendës evropiane të Kosovës
Takimi me komisionerin për zgjerim, Johannes Hahn, i sapozhvilluar në vizitën e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Bruksel, ka pasuar takimin me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini. “Ky është takimi i parë bilateral mes komisionerit dhe përfaqësuesve të qeverisë së re të Kosovës, që doli nga zgjedhjet e qershorit”, tha Thaçi pas takimit në një konferencë shtypi. “Zhvilluam një takim të shkëlqyer. Urova komisionerin Hahn për emërimin e tij dhe shpreha gatishmërinë për të bashkëpunuar në drejtim të përparimit të axhendës së integrimit evropian për shtetin e Kosovës”, theksoi kryediplomati kosovar. Thaçi shtoi se kishte informuar komisionerin për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe riafirmuar angazhimin e qeverisë kosovare për të punuar në procesin e integrimeve evropiane. “Kemi ndërtuar një qeveri të qëndrueshme, me bazë të gjerë politike dhe përfshirje gjithëetnike, edhe të serbëve nga veriu, që janë pjesë edhe e qeverisë edhe parlamentit të Kosovës”, shtoi Thaçi. “Rikonfirmova edhe një herë sot zotimin para komisionerit se qeveria, institucionet e Kosovës janë të zotuara ta imlemetojnë në tërësi Marrëveshjen e Brukselit”, tha Thaçi. “Kosova do të tregojë përgjegjësi të lartë në procesin e vazhdimit të dialogut me Serbinë”, siguroi ai, duke shtuar se shpresonte se dialogu do vazhdojë në pjesën e dytë të janarit 2015. Duke theksuar rrugën e Kosovës në integrimet evropiane kryediplomati Thaçi vlerësoi se përfundimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit është i një rëndësie të madhe. “Këshilli i BE-së përkrahë nënshkrimin e MSA-së”, theksonte në mbrëmjen e 16 dhjetorit qeveria e Republikës së Kosovës në një komunikatë ku përshëndeste “thirrjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian që Komisioni Evropian të paraqesë sa më shpejt që të jetë e mundur propozimin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si një hap tejet i rëndësishëm përpara”. “Kjo është vlerësim i përpjekjeve të deritanishme, dhe rikonfirmon përkushtimin e BE-së që kjo marrëveshje e parë kontraktuale mes BE-së dhe Kosovës të nënshkruhet dhe të hyj në fuqi së shpejti”, theksonte komunikata e qeverisë kosovare.