Thaçi takon Trump për korrigjimin e kufijve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë fundjavë. Vizita në SHBA është konfirmuar nga këshilltari politik i Thaçit, Ardian Arifaj, i cili ka theksuar se agjenda do të bëhet publike në ditët në vijim.

Agjencia e lajmeve ‘KosovaPress’ raporton se gjatë vizitës në Uashington, presidenti kosovar do të takohet me homologun amerikan, Donald Trump. Sipas burimeve diplomatike, takimi do të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme.

Në fokus të takimit do të jetë propozimi për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, John Bolton deklaroi pak javë më parë se SHBA nuk do e kundërshtonte një marrëveshje të tillë nëse do të arrihej midis Prishtinës dhe Beogradit.

Ndërkohë që Thaçi vijon të gjejë mbështetës për propozimin e tij, qeveria e Kosovës me në krye kryeministrin Ramush Haradinaj nuk ka lëvizur nga qëndrimi kundërshtues për ndryshimin e kufijve. Haradinaj ka gjetur edhe mbështetjen e Tiranës zyrtare për këtë çështje, si dhe të shteteve të rajonit.

SHKARKO APP