Thaçi: Të forcojmë identitetin tonë shtetëror

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për tetëvjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në këtë paraqitje të parë publike, pas betimit dhe ceremonisë së inaugurimit, presidenti Thaçi ka thënë se do të veprojë konform Kushtetutës, për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve.

“Kushtetuta e Kosovës i ka rrënjët në kompromisin e Vjenës dhe krijimin e mekanizmave mbrojtës për komunitetet jo-shumicë. Kosova është republikë sovrane dhe e pavarur falë këtij kompromisi dhe nuk është e moralshme që sot ne t’u ikim obligimeve tona, 8 vjet pasi që kemi fituar rezultatin më të shenjtë dhe më të madh të historisë sonë, shtetin tonë të pavarur”, është shprehur presidenti Thaçi.

Si çështje tjetër, presidenti Thaçi ka përmendur edhe funksionimin e shtetit sipas pritjeve të qytetarëve, të cilat nuk kanë të bëjnë shumë me temat politike, por me ato ekonomike.

“Si president do t’i inkurajojë partitë politike, shoqërinë civile dhe institucionet e Kosovës që t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, që të realizojnë ëndrrën e krenarisë për shtet dhe të forcojnë edhe identitetin shtetëror”, ka thënë ai.

E para, presidenti Thaçi ka thënë se është përforcimi i balancit në mes të prokurorisë, gjykatës dhe qendrave korrektuese.

“Mendoj se kemi nevojë që Kodi Penal, i cili është draftuar para disa vjetëve dhe është mjaft i mirë, megjithatë, me disa ndryshime që do t’i inicojë në të ardhmen, do të përforcohet, që mos të lejohen vrimat dhe dobësitë e identifikuara, që po irritojnë publikun e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se çdokush është i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia, por në momentin që vërtetohet, publiku pret që dënimi të mbahet konform vendimeve dhe standardeve gjyqësore.

“Ata që janë terroristë të ISIS-it, të dënuarit apo të inkriminuarit e këtij vendi nuk mund të shëtisin të lirë, përkundër dënimeve që marrin. Kjo praktikë e keqe duhet të marrë fund”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se një përmirësim dhe përforcim i Kodit Penal do ta adresonte këtë çështje shumë të ndjeshme për publikun, por edhe për imazhin ndërkombëtar të shtetit.

E dyta, presidenti Thaçi ka thënë se është çështja e politizimit apo departizimit të institucioneve.

“Mund të jetë ironike që unë, si një ish-kryetar i partisë më të madhe, të bëj thirrje për më pak ndikime partiake në borde e agjenci, por mendoj se na duhet të ribalancojmë institucionet tona konform nevojës për performancë optimale  të qeverisë dhe agjencive. Mos të keqkuptohemi, nuk besoj se ne mund të kemi liderë apolitikë apo zyrtarë të shkurorëzuar nga realiteti ynë, sepse mendoj dhe e di se disa prej njerëzve më të aftë që ka Kosova janë në parti politike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se njerëz me aktakuza nuk do të ketë në institucione apo agjenci, si dhe as në lista zgjedhore të partive politike nuk duhet të jenë të njëjtit.

Ndërsa, çështje tjetër e ngritur nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ishte edhe mbrojtja e Kushtetutës në publik.

“Pika tjetër ka të bëjë me juve sot në këtë sallë që po e festoni Kushtetutën: Ju në gjyqësor, deputetët në parlament, por edhe qeveria dhe shoqëria civile duhet të jeni më të guximshëm kur ta mbroni Kushtetutën në publik”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se kjo është Kushtetuta më moderne në Evropë dhe ka mekanizmat më të mirë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, e cila është ndërtuar në bazat e politikës progresive të fokusuara kah qytetari. “Prej çështjes së të drejtave minoritare dhe Asociacionit e deri tek funksionimi demokratik i institucioneve, që të gjitha janë të bazuara mirë në Kushtetutë dhe ne duhet të jemi më të mirë, më vokal dhe më të vendosur në mbrojtje të saj publike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Këto përmirësime që kërkojnë pak vullnet dhe duken ndoshta minore, presidenti Thaçi ka thënë se kanë efekt madhor në perceptimin publik dhe në forcimin e besueshmërisë.

“Duhet ta rikthejmë besimin qytetar tek institucionet legjitime. Me punën tonë duhet të rrisim besimin qytetar tek shteti ynë”, është shprehur presidenti Thaçi, duke u zotuar se si president i vendit, do t’u ofrojë përkrahje të palëkundur në pesë vitet e ardhshme.

Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Drejtësisë për tetëvjetorin e miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

SHKARKO APP