Thaçi uron Kurtin, ja thirrja që i bën
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur votimin e sotëm të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për krijimin e qeverisë së re.
Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka ftuar kabinetin e ri qeveritar që të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e premtimeve të dhëna karshi qytetarëve, siç ka shkruar ai duke kompensuar ditët e humbura dhe vazhduar angazhimin institucional për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ai ka shkruar se Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara të cilat mund të tejkalohen vetëm me punë, me përkushtim, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri shtetërore.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës me 66 vota për dhe 10 abstenime e votoi Qeverinë e Re të Republikës të udhëhequr nga Albin Kurti. Të pranishëm në seancë ishin 76 deputetë, kurse para votimit, seancën e kanë braktisur deputetët e PDK-së dhe AAK-së.
Pas votimit, kabineti qeveritar ka bërë betimin solemn. Qeveria Kurti e votuar tashmë në Kuvendin e Kosovës ka dy zëvendëskryeministra, 15 ministra dhe 33 zëvendësministra.