Thaçi: Zvogëlim numrit të deputetëve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se vendi ka nevojë për reformë zgjedhore, duke nënvizuar se duhet të zvogëlohet numri i deputetëve.

Deklaratat e tij u bënë gjatë një takimi me përfaqësues të partive politike të thirrura prej tij për të diskutuar pikërisht për këtë çështje.

Thaçi: Duke marrë parasysh se Kosova është shtet i ri në ndërtim dhe konsolidim, reformat zgjedhore janë edhe më komplekse. Në Kosovë ka nevojë për një debat të hapur për të diskutuar për zgjedhjet, sistemin zgjedhor dhe procesin e votimit. Kosova ka nevojë për reforma në sistemin zgjedhor për të krijuar një proces të drejt dhe për tu bërë duhet edhe ndryshimet ligjore.

Presidenti Thaçi ka theksuar se nëse pajtohen deputetët atëherë është mirë që të zvogëlohet numri i deputetëve në Kuvend nga 120 sa është tani në 100 apo edhe më pak, si dhe të shtohen edhe dy deputetë nga komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Duke folur për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, Thaçi ka propozuar që kreu i Shtetit të zgjidhet ose direkt nga vota e popullit, ose nëpërmjet procesit të votimit në Parlament ku të pranishëm të jenë 50 plus 1 deputetë, çka do ta lehtësonte procesin e zgjedhjes dhe nuk do të çonte në bllokime siç ka ndodhur më herët.

Thaçi thotë se duhen më shumë kompetenca për Presidentin.

SHKARKO APP