TikTok e Snapchat shqetësim për fëmijët në Kosovë. Anketa: Hapësira bullizimi dhe diskriminimi
Rrjeti social TikTok është identifikuar nga fëmijët si hapësira në të cilën bëhet më së shumti bullizim në Kosovë. Rezultati ka dalë nga anketa e realizuar nga “Save the Children Kosova”, e që ka marrë për bazë përgjigjet e 1071 fëmijëve.
Bazuar në këtë anketë, rrjetet sociale dalin të jenë hapësira më e madhe ku bëhet bullizimi. 78% e fëmijëve kanë raportuar se bullizimi është “shumë ose mesatarisht” i pranishëm në shkollën e tyre. “Fëmijët identifikojnë më tej TikTok-un (78%), Snapchat-in (57%), shkollat dhe hapësirat publike (52%), Instagramin (45%) dhe Facebook-un (28%) si hapësira ku bullizimi ndodh shpesh ose gjithmonë”, thuhet në një komunikatë për media nga “Save the Children Kosova”, me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve.
Në anketën “Zërat e Rinj”, 68% e fëmijëve besojnë se fëmijët në Kosovë përjetojnë diskriminim. Në Ditën Botërore të Fëmijëve ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar angazhimin e ministrisë në mbrojtjen e të drejtave të tyre. “Është koha të tregojmë se ne mund t’i mbrojmë fëmijët. Kosova për të pasur një zhvillim ekonomik dhe të ardhme duhet të sigurojë mbrojtje fëmijëve”. Gjatë ditës janë mbajtur tryeza të ndryshme ku janë adresuar çështjet e sfidat që po përballen fëmijët në Kosovë.