Tito vërtet e “dhuroi” Kosovën…dhe Enver Hoxha refuzoi “dhuratën”?

Presidenti i ish- Jugosllavisë socialiste, Josip Broz Tito, që në fund të vitit 1946 ia kishte “dhuruar” Kosovën si dhe të gjitha territoret tjera me shumicë shqiptare, Shqipërisë dhe Enver Hoxhës.

Kështu shkruan portali serb, telegraf.rs.

“Është pak i njohur fakti që Josip Broz Tito në intervistat për gazetarët e huaj në vitet 1945/46, ka folur hapur se Kosova, si dhe pjesë tjera me shumicë shqiptare, do t’i bashkohen Shqipërisë”, shkruan ky portal.

Tito kishte deklaruar për Associated Press: “Në rast se komunistët vijnë në pushtet në Shqipëri, ajo (Kosova) mund të jetë nën ingerencat e Tiranës”.

“Shefi i shtetit shqiptar, Enver Hoxha gjithmonë ka thënë se marshall Tito nga fundi i vitit 1946 personalisht i ka premtuar se Kosova do të jetë pjesë e Shqipërisë, ashtu si edhe rajonet e tjera ku shqiptarët janë shumicë.

Megjithatë, këto deklarata nuk janë transmetuar në publik, pasi marrëdhëniet e Tiranës dhe Beogradit gjithmonë kanë qenë të tensionuara”, shkruan tutje portali serb.

Dora e djathtë e Titos, Eduard Kardeli, sipas disa teorive konspirative, me rastin e vizitës së tij në Moskë dhe në ish- BRSS, i kishte thënë Stalinit që Kosova do t’i ‘jepet’ Shqipërisë

Megjithatë, mbetet mister e vërteta dhe ka plot debate andej e këtej kufirit. Disa mendojnë se Tito kishte një plan djallëzor në kokë, sepse donte t’ia jepte Kosovën Shqipërisë, me kusht që i tërë territori shqiptar të përfshihej nën Ish-Jugosllavinë, si shumë republika të tjera ballkanase, duke imituar Bashkimin Sovjetik, çka nuk u pranua nga Enver Hoxha. Kjo solli vetëm dy vjet më vonë prishjen përfundimtare të marrëdhënieve mes Titos dhe udhëheqësit komunist shqiptar.      

Në mungesë të historianëve të mirëfilltë shqiptarë, spekulimet janë nga më të ndryshmet dhe serviren për publikun. Edhe serbët nga kjo gjendje, hedhin “shashka sa herë duan” mbi historinë tonë. 

Logjika e thjeshtë të çon në përfundimin se pas Luftës së Dytë Botërore, kur vende të tjera ballkanase si Kroacia e Sllovenia nuk e fituan kurrë këtë privilegj nga Tito, s’kishte sesi komunistët jugosllavë të tregoheshin më zemërgjerë se pasardhësit e tyre sot, e t’ia dorëzonin Kosovën shteti amë.  Vetëm pas një lufte të përgjakshme disa  dekada pas asaj që  pretendohet se mund të ishte falur Kosova, dhe falë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, Kosova u çlirua përfundimisht nga Beogradi, por edhe sot e kësaj dite nuk njihet nga OKB-ja si shtet dhe se shihet edhe  nga perëndimi si i pamundur bashkimi i saj me Shqipërinë.    

SHKARKO APP