Tre mijë kosovarë me COVID-19 u futën në Gjermani brenda një muaji
Në katër javët e fundit 2.946 mërgimtarë të prekur me COVID-19 kanë shkuar nga Kosova në Gjermani.
Sipas raportit të statistikave të institutit gjerman “Robert Koch”, Kosova zë vendin e parë në botë që po çon më së shumti raste të të infektuarve me virus në këtë shtet, raporton Koha.net. Pas Kosovës, vijnë Kroacia dhe Bosnja.
Mungesa e kapaciteteve të Kosovës për testim të qytetarëve që udhëtojnë në shtete të tjera është arsyeja që po e radhit Kosovën si vendin me rrezik të lartë për shpërndarje të virusit.
Për mundësinë e mbylljes së aeroportit apo reduktimin e fluturimeve nga Kosova, KOHA e ka pyetur Ambasadën Gjermane në Kosovë, por ajo nuk ka dhënë përgjigje.
Numri i kosovarëve që kanë hyrë në Gjermani me infeksion në muajin e fundit është i përafërt me numrin e rasteve aktive në nivel vendi, që është një tregues se shifrat nuk përkojnë me situatën faktike në vend.
Kjo edhe për shkakun se jo të gjithë qytetarët po kanë mundësi testimi.