Tre policët që luftuan mbrëmë me terroristët në Vjenë ishin nga Kosova
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka deklaruar se tre policë që luftuan dje me terroristët në Vjenë të Austrisë janë shqiptarë nga Kosova.
Deklarata e ministres u bë sot në Berlin, para takimit me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas. Ajo theksoi se Kosova qëndron përkrah aleatëve në luftën kundër ISIS-it dhe terrorizmit.
“Kosova dënon njëzëri sulmet e natës së shkuar në Vjenë. Nuk do të jap komente mbi burime të pakonfirmuara, por do të doja të nënvizoja disa fakte të rëndësishme mbi atë çfarë ka ndodhur dje. Tre prej efektivëve të policisë që iu përgjigjën sulmeve të mbrëmshme ishin shqiptarë, shtetas të Kosovës, të cilët jetojnë të mirintegruar në Vjenë dhe punojnë e luftojnë krahas qytetarëve austriakë për të mbrojtur vlerat dhe qëllimet që ne ndajmë me popullin austriak”,-tha ministrja e Jashtme e Kosovës.
Në sulmin terrorist në Vjenë mbetën të vrarë katër persona si dhe një nga autorët me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, autoritetet kanë skeduar dhe 12 persona të tjerë të dyshuar në sulmin terrorist, mes të skeduarve mësohet se ka dhe shtetas kosovarë.