Tre raste të reja me koronavirus në Kosovë, në spital edhe të mitur
Sot më 4.04.2020 (01:30 pas mesnate), në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Kosovë janë testuar 138 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, tre prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, prej 93 të testuarve, 3 prej të cilave janë pozitive në Mitrovicë të veriut. Nga data 08.02.2020 deri më 04.04.2020, pozitive rezultojnë gjithsej 135 raste.
Faik Hoti, zëdhënësi i Shëndetësisë dha detaje mbi raste:
“Disa karakteristika rreth moshës së pacientëve që deri tash janë trajtuar dhe po trajtohen në Klinikën Infektive për Covid-19.
Grupmosha e të prekurve me Covid -19 që kanë pasur nevojë më shumë për tretman spitalor është ajo mbi 70 vjeç.
Ka numër të barabartë të pacientëve të grupmoshave prej 30-39 vjeçe deri në 60-69 vjeçe
Në Klinikë deri tash nuk ka pasur të hospitalizuar asnjë pacient me Covid nga grupmosha 10-19 vjeç.
Dy pacientë të spitalizuar i takojnë moshës nën 6 vjeçare.
Nga 13 mars-3 prill 2020, në këtë klinikë ka vdekur vetëm një pacient i prekur nga Covid-19, i njëjti ka pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga Klinika Infektive dhe grafika është punuar duke ju falënderuar bashkëpunimit edhe me dr. Sadije Namani, infektologe.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.772 kontakte të rasteve.