Tregtia e jashtme – Kosova rrit ndjeshëm eksportet drejt Shqipërisë

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 18.3% në muajin korrik 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 280,2 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 236,9 milionë Euro në vitin 2017. Eksporti mbulon importin me 9.3%.

Eksporti i mallrave në muajin korrik 2018 kishte vlerën 28,7 milionë Euro, ndërsa importi 309,0 milionë Euro, ku është një rënie prej (-25.0%) për eksport dhe një rritje prej 12.2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Grupet kryesore të eksportit i përbëjnë metalet bazë dhe artikujt e tyre me 31.3 për qind, dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani në nivelin e 13.7 për qind.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.4% e përbëjnë produktet minerale; 14.1% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani…”.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 7,6 milionë Euro, ose rreth 26.7% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.9%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.2%), Sllovenia (4.8%), Holanda (4.6%).

Ndërsa importet kanë pësuar një rritje me 6,7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ato kapin vlerën e 126,6 milionë euro. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.6%), Italia (7.2%), Greqia (2.9%), Polonia (2.6), Romania (2.3%) etj.

Eksportet drejt Shqipërisë pothuajse janë dyfishuar krahasuar me muajin korrik të vitit 2017, nga 12.8 për qind, këtë vit Kosova eksporton në vlerën e 23.7 për qind.

“Në muajin korrik 2018, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 16,0 milionë Euro, ose 55.7% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-24.2%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (23.7%), Maqedonia (12.7%), Serbia (11.1%), Mali i Zi (5.5%)”, sipas ASK.

Një rritje të lehtë kanë pësuar edhe importet nga vendi jonë. Nga 4.9 për qind të mallrave që importonte një vit më parë, këtë vit importet janë rritur në nivelin e 7 për qind.

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin korrik 2018, arritën në 82,3 milionë Euro, ose 26.7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (12.1%), Shqipëria (7.0%), Maqedonia (4.9%) dhe B&H (2.1%)”.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 5,0 milionë Euro, ose 17.6%. Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 100,0 milionë Euro, ose 32.4%.

SHKARKO APP