Tregu me sende të vjetra, për herë të parë në Prishtinë
I njohur në botë si «Flea Market», tregu i gjësendeve të vjetra është një lloj pazari që u jep me qira hapësirën njerëzve që duan të shesin apo të shkëmbejnë mallra.
Sendet e përdorura, mallrat e cilësisë së ulët dhe ato të cilësisë së lartë, sikurse edhe gjërat antike, janë ato që zakonisht shiten në të.
Tregu i parë i tillë është mbajtur në Amerikë në Texas, më 1873, dhe në ditët e sotme organizohet në kryeqendra të ndryshme botërore. Të inspiruara nga tregjet e tilla ku shiten rroba të dorës së dytë, Anyla Dautaj dhe Rita Saraçi – blogere të modës – kanë organizuar «Prishtina’s First Flea Market» (Tregun e parë të gjësendeve të vjetra në Prishtinë». Ky aktivitet do të mbahet të shtunën, shkruan sot Koha Ditore.
Anyla Dautaj ka thënë se ky është aktivitet që organizohet në të gjitha qytetet e botës të paktën një herë në muaj.
Ajo ka shtuar se për shkak të mungesës së hapësirës organizatoret e «Prishtina’s First Flea Market» dhe për shkak se është dashur leje nga Komuna e Prishtinës që të vihen tendat në shesh, ky aktivitet do të mbahet në kafe-librarinë «Ditë e Nat».