“Trepça”, Serbia nuk e con në arbitrazh. Ndryshe do t’i njihte shtetësinë Kosovës
Fondi për Zhvillim, të cilin Beogradi e quan pronar me hisen më të madhe në “Trepçë”, 55 për qind të saj, të premten e ka njoftuar AKP-në dhe zyrtarët në Kosovë se pajtohet me ofertën e njëanshme për arbitrazh e që parashihet në Ligjin e Kosovës për Investime të Huaja, transmeton “Koha.net”.
Ky arbitrazh, nëse ndodh, siç transmeton “Veçernje Novosti”, me status do të ishte neutral sepse ai do të udhëhiqej nga persona juridikë nga Prishtina e jo ndërmjet dy shteteve. Kështu është bërë edhe vjet me rastin, siç thotë kjo gazetë, e plaçkitjes së Qendrës për skijim Brezovica, kur “Ineks Intereksport” dhe “Skijališta Srbije” e njoftuan Prishtinën se ekzistonin mundësi që mbrojtja e të drejtës të kërkohet në Odën Tregtare ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris.
Fondi për Zhvillim i ka thënë Kosovës se me Ligjin për “Trepçën” përshkruhet aksioni shpronësues, veprimet dhe asetet e operacioneve të kompanisë që është në zotërim të tyre dhe jep pëlqimin që kontesti të zgjidhet me arbitrazh.
Topi tani është në fushën e autoriteteve kosovare të cilat vetë e kanë shkruar se kontestet me investitorët mund të zgjidhen kështu në tri adresa – me ndërmjetësim të KB-së, Bankës Botërore ose me Odën e përmendur.
Tek arbitrazhi me siguri nuk do të shkohet nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës Ligjin për “Trepçën” e shpall jokushtetues, ashtu si ka kërkuar Lista Serbe, thuhet në Beograd.
Përgjigja mund të pritet gjatë 60 ditëve të ardhshme, përkatësisht në mesin e dhjetorit.