Tri dorëheqjet e Ramush Haradinajt

Ramush Haradinaj është larguar nga dy mandate deputeti dhe nga pozita e kryeministrit. Dy dorëheqje i ka ofruar për shkak të akuzave për krime lufte. Të tretën për “gjendjen e krijuar në Kosovë”.

Për pesëmbëdhjetë vjet karrierë politike, Ramush Haradinaj ka dhënë tri herë dorëheqje.

Herën e parë nga pozita e kryeministrit.

Të dytën dhe të tretën nga pozita e deputetit.

Kësisoj, ai mund të cilësohet si lideri më fatkeq sa u përket posteve politike.

Teksa seanca e fundit e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si deputet, është ajo e së premtes. Gjatë kësaj seance përjetoi tërheqjen zvarrë të kolegëve të tij opozitar nga Policia e Kosovës për shkak të hedhjes së mjeteve të klasifikuara si armë- gazit lotsjellës në Kuvend.

“Në mandatin tim prej deputeti, jam munduar që të ngre shqetësimet e mia serioze për çështje me interes për vendin, duke përfshire edhe gabimet që po bëheshin me nënshkrimin e dy marrëveshjeve kontestuese, Demarkacionin dhe Asociacionin, por jam injoruar nga uzurpatorët e pushtetit e të Kuvendit”, ka thënë Haradinaj në arsyetimin e dorëheqjes. Duke i liruar vendin Ali Berishës në Kuvendin e Kosovës.

Kujtojmë sakaq se Haradinaj ka dhënë dorëheqje edhe në vitin fillim të vitit 2008 nga pozita e deputetit.

Asokohe ai ndodhej në Gjykatën e Hagës në rigjykim për krime lufte që supozohej se kishte kryer në rajonin e Dukagjinit ku kishte komanduar gjatë viteve 1998-1999.

“Nuk mund të lejoj që në burg të mbahet një deputet”, ishte arsyetuar ai kur kishte dhënë dorëheqje pas certifikimit të zgjedhjeve. Paraburgosja në Hagë nuk e kishte penguar Haradinajn që në ato zgjedhje të ishte prijës i listës për deputet dhe kandidat për kryeministër, pozitë kjo e lakmueshme prej tij. Dy vjet e gjysmë më herët, Haradinaj kishte mbajtur pozitën e kryeministrit për 100 ditë falë zemërgjerësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe liderit të saj të ndjerë, Ibrahim Rugova. Me tetë për qind të votave, ai kishte fituar pozitën e kryeministrit. Haradinaj u zgjodh në këtë pozitë më 3 dhjetor 2004.

Më 8 mars të vitit 2005, Tribunali për Krime të Luftës në ish-­Jugosllavi publikoi aktakuzën për krime lufte ndaj tij. “Sot kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës”, kishte thënë ai në një konferencë për media. Prapa tij qëndronte i terë kabineti qeveritar.

Astrit Haraçija, ministër i Kulturës kishte derdhur lot për të. Të nesërmen shkoi vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Me të mbërritur atje, u burgos. U gjykua për krime të rënda. Por u shfajësua prej të gjitha akuzave. Në Hagë u thirr për rigjykim dhe sërish u shpall i pafajshëm. Nga Haga u detyrua ta lirojë pozitën e deputetit. E kur u kthye në Kosovë, u prit si hero lufte. Hashim Thaçi ia shtroi edhe tapetin e kuq në aeroport. Ai tapet është vlerësuar si djegia më e madhe politike që ka përjetuar Haradinaj. Donte që Thaçi t’ia lëshonte postin e kryeministrit.

“Nuk kemi kohë, duhet me punu”, kishte thënë ai. Këtë dëshirë e ushqeu disa muaj, derisa Thaçi ia bëri me dije se nuk ia lëshon postin e kryeministrit. Në zgjedhjet e fundit, u zgjodh deputet ku qëndroi deri të premten. Ai është vetëm kryetar partie, mirëpo i gatshëm për të punuar për Kosovën nga pozita e kryeministrit.

SHKARKO APP