Tryeza në Mynih/Albin Kurti: Vuçiç reagoi ashpër
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e konsideron takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih. Kurti tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është takuar me Vuçiçin. “Unë nuk jam takuar me Vuçiçin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti pas pjesëmarrjes në një diskutim mbi mundësitë për Ballkanin Perëndimor. Ky diskutim u zhvillua në margjina të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë, i cili nisi punimet të premten në Mynih, me pjesëmarrjen e rreth 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive.
I pyetur të komentojë debatin me dyer të mbyllura, për të cilin Vuçiç tha se ishte “i ashpër”, Kurti tha se nuk dëshiron të japë detaje, duke u thirrur në rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejojnë të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve (Chatam House Rules). Megjithatë, Kurti pranoi se ka pasur tensione në tryezën e rrumbullakët. “Ai (Vuçiç) ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë. Pastaj pasoi reagimi i tij me nervozizëm”, tha Kurti për Radion Evropa e Lirë. Vuçiç tha më herët se është takuar me Kurtin në Mynih dhe se takimi ka qenë “i ashpër”.
Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçiç tha se ka luftuar për interesat e Serbisë. Ai tha se nuk guxon të nxjerrë detaje nga debati i mbyllur, por deklaroi se “ka folur të vërtetën” dhe se ka mbrojtur popullin serb “në mënyrën më të mirë të mundshme”. Vuçiç tha se e konsideron të rëndësishme të shikohen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe marrëdhëniet “brenda Prishtinës”. Ai tha se i njeh mirë “politikanët nga Prishtina”, madje “edhe atë që ka qenë i panjohur për të”, duke aluduar në kryeministrin e Kosovës. Diskutimi për Ballkanin Perëndimor në Mynih të Gjermanisë shënoi herën e parë të pjesëmarrjes së Kurtit dhe të Vuçiçit në të njëjtën tryezë.
Kurti ka marrë detyrën e kryeministrit para dhjetë ditësh. Për të, kjo ka qenë edhe paraqitja e parë në skenën ndërkombëtare në rolin e kryeministrit. Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje për hekurudha e autostrada. Të premten në Mynih, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, morën pjesën në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për hekurudhat dhe autostradat, e cila u arrit me ndërmjetësimin e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Kjo marrëveshje më pas u kontestua nga Kurti, i cili përmes një postimi në Facebook tha se ajo është nënshkruar nga persona të paautorizuar. /REL/