U kthyen nga Siria, gratë tregojnë sa paguheshin nga ISIS

Dhjetëra gra janë kthyer nga Siria pas një aksioni masiv të rikthimit të kosovarëve nga atje. Drejtoria Kundër Terrorizmit në Prishtinë, ka ushtruar kallëzim penal ndaj disa të pandehurave nën dyshimin se të njëjtat kishin kryer veprat penale Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste dhe Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë apo policinë e huaj në formacionet e jashtme paraushtarake. Portali.info ka arritur të sigurojë dëshminë që njëra nga të akuzuarat e ka dhënë në Prokurorinë e Shtetit. 23 vjeçarja, emër i njohur për redaksinë e cila atje kishte shkuar bashkë me bashkëshortin e saj ka rrëfyer se kur i është bashkuar Sirisë nuk e ka ditur që është organizatë terroriste dhe se nuk i ka interesuar ajo punë.

“Nuk kam mëndu shumë në atë drejtim as nuk më ka interesuar ajo. E kam ditë që në Siri luftohet kundër Asadit dhe arsyeja kryesore që kam vendos të shkojë atje ka qenë burri im”, ka deklaruar në Prokurori 23 vjeçarja. Më tej ka treguar edhe shumën që merrnin në formë page nga ISIS. E pyetur a është paguar burri i saj nga ISIS , ajo është shprehur: “Po e ka pas pagën 50 dollarë për person, ashtu që 100 dollarë i kemi marrë rregullisht. Dhe të hollat i kemi shfrytëzu vetëm për ushqim sepse banesa ka qenë pa pagesë”.

Tutje ajo ka njoftuar se banesa ku ka qëndruar ka qenë pronorë e sirianëve të larguar për shkak të luftës. 23 vjeçarja ka mohuar se po t’i jepej rasti do të shkonte përsëri në Siri, pasi është e dëshpëruar nga gjendja atje. Ndryshe, deri tash ende nuk kanë filluar seancat në gjykatë ndaj të akuzuarve. Në bazë të statistikave të policisë, afro 400 qytetarë të Kosovës, kanë marrë pjesë në gjashtë vitet e fundit në konflikte në Siri dhe Irak përkrah grupit militant të ashtuquajtur “Shteti Islamik”. Thuhet se më shumë se 70 prej tyre janë vrarë.

SHKARKO APP