U shkarkua nga Kurti, reagon Vlora Çitaku: Dihet botërisht që jam e padëshiruar
Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook, pasi që Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca e propozoi shkarkimin e saj.
Çitaku ka deklaruar se lajmin e ka pranuar përmes një emaili të nisur nga Ministria.
“Sigurisht, unë do ta respektoj kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emëroj dhe shkarkoj Ambasadorët e Republikës së Kosovës, mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar. Megjithatë, besoj se e kam merituar një konsultim paraprak lidhur me propozimin në fjalë.
Si Ambasadore jam emëruar përmes çelësit politik. Këtë e kam thënë shumë herë më parë, dhe është krejt e natyrshme që Qeveria e Kosovës të kërkojë zëvendësimin tim. Mirëpo, unë nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës”, ka shtuar ajo.
Ambasadorja e Kosoëvs thotë se shpreson që institucionet shpejtë të dakordohen për personin që do ta zëvendësojë atë.
“Në këtë periudhë tranzitore do të mundohem të përmbushë të gjitha detyrat me përgjegjësi, ashtu siç kam bërë çdo herë. Shpresoj që Institucionet e Republikës së Kosovës të dakordohen shpejtë për pasuesen/pasuesin tim. Ambasadores/Ambasadorit që do vije pas meje, do t’ia ofrojë bashkëpunimin tim të plotë dhe pakursyer. Kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë që me nder dhe përgjegjësi t’iu shërbej tre Kryeministrave dhe dy Presidentëve. Në SHBA e kam përfaqësuar Kosovën siç kam ditur më së miri”, ka shkruar ajo.