U vra në krye të detyrës, rreshteri Afrim Bunjaku shpallet hero i Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës post-mortem” rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku që ra heroikisht dje në veri në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial. Këtë urdhër e kanë pranuar familjarët e tij.

“Shteti ynë nga sot ka edhe një hero, ka edhe një kujtim më shumë për një njëri që me profesionalizëm e me përkushtim ju dedikua mbrojtjes së Republikës për të cilën ra në krye të detyrës”, tha presidentja Osmani.

Afrim Bunjaku humbi jetën si pasojë e një sulmi të kryer nga një grup personash të armatosur në veri të Kosovës. Kjo ngjarje mjaft e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës në hyrje të fshatit Banjskë, që banohet me shumicë serbë. Persona të armatosur bllokuan rrugën me kamionë dhe më pas qëlluan me armë zjarri dhe granata dore në drejtim të policisë së Kosovës.

Për pasojë mbeti i vrarë Bunjaku ndërsa u plagosën dy policë të tjerë që janë jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë së Kosovës agresorët kanë qenë rreth 30 persona, një pjesë e të cilëve u mbyllën pas ngjarjes në Manastirin e Banjskës. Pas operacionit që zgjati rreth 17 orë, autoritetet kosovare njoftuan se vranë 3 sulmues dhe arrestuan 2 të tjerë. Po ashtu janë vënë në pranga edhe 4 persona të dyshuar të cilët kanë qenë në përdorim të paligjshëm të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist.

SHKARKO APP