Ursula von der Leyen në Kosovë: Mesazh për stabilitet dhe integrim
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndodhet sot në Kosovë (15 tetor 2025), si pjesë e turit të saj në Ballkanin Perëndimor, që përfshin gjashtë vendet e rajonit. Vizita e saj në Prishtinë përkon me një moment kyç për dialogun Kosovë–BE dhe për përshpejtimin e reformave drejt integrimit evropian.
Sipas agjendës zyrtare, Von der Leyen do të takohet në orën 13:00 me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në ambientet e Presidencës. Më pas, në orën 14:05, ajo do të zhvillojë një takim me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Vizita në Kosovë është pjesë e turit pesë-ditor të Von der Leyen në rajon, që nisi më 13 tetor në Tiranë, ku ajo u takua me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama, si dhe mori pjesë në Forumin e Investimeve BE–Shqipëri.
Pas Shqipërisë, ajo vizitoi Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinën, dhe Serbinë. Kosova është ndalesa e parafundit, ndërsa turi mbyllet nesër (16 tetor) në Shkup. Kjo është vizita e parë e Von der Leyen në Ballkanin Perëndimor gjatë mandatit të saj të dytë si Presidente e Komisionit Evropian. Një vit më parë, në përfundim të mandatit të saj të parë, ajo vizitoi po të njëjtat gjashtë vende, duke riafirmuar angazhimin e BE-së për integrimin e rajonit në strukturat evropiane.
Vizita e sotme në Prishtinë përfaqëson një sinjal të qartë për mbështetjen e BE-së ndaj Kosovës dhe për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional në rrugën drejt anëtarësimit evropian.
KOHA JONË SONDAZH

