Ushtria, Prishtina replika me Brukselin

Ministria e Jashtme e Kosovës ka shkëmbyer disa replika në rrjetet sociale me zyrtarët e Bashkimit Europian, pas vendimit për krijimin e ushtrisë. Zëdhënësja e Zyrës për Politikën e Jashtme, Maja Kocijančič deklaroi se ky vendim duhet të ishte marrë në përputhje me Kushtetutën. Por Prishtina i ka kërkuar Kocijančič që të lexojë me kujdes se çfarë thotë Kushtetuta e Kosovës për ushtrinë.

“E dashur Maja Kocijančič, mandati i FSK-së është përcaktuar nga ligji, jo nga Kushtetuta. Të sugjerojmë të lexosh me kujdes Kushtetutën e Kosovës”, shkruhet në profilin zyrtar të Ministrisë kosovare.

Të njëjtën përgjigje ka marrë nga Prishtina edhe Annemarie Huber, zëdhënëse e Johannes Hahn: “E dashur Annemarie Huber, mandati i FSK-së është përcaktuar nga ligji, jo nga Kushtetuta. I sugjerojmë Komisionit Evropian dhe Zyrës për Politikën e Jashtme që të lexojnë me kujdes Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta thotë se Kosova është shtet i pavarur. Në të njëjtën linjë me këtë kushtetutë, është koha për pesë shtetet e BE-së të njohin Kosovën”. Edhe pse NATO dhe Bashkimi Evropian u shprehën kundër krijimit të ushtrisë, Parlamenti i Kosovës votoi sot në favor të shndërrimit të Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura, duke marrë mbështetjen e SHBA-së dhe Shqipërisë.

SHKARKO APP