Valdet Gashi u vra nga ISIS, pasi donte të lironte disa robër të pakicës fetare jezide?
Interesimi i mediumeve zvicerane mbi vrasjen ende të supozuar të tai-bokiserit të njohur Valdet Gashi vazhdon të jetë i madh. Po aq të mëdha janë edhe spekulimet. Gashi është rritur në Gjermani, ka bërë karrierë si tai-boskier, është bërë kampion botëror në këtë lloj sporti, ka hapur në qytetin Winterthur të Zvicrës një qendër trajnimi për tai-boks, ku kanë ushtruar vetëm burrat, natyrisht pa muzikë, sepse, sipas radikalëve islamikë, dëgjimi i muzikës është i ndaluar.
Por Gashi ka pushtuar mediumet sidomos pas ikjes së tij në Siri para disa javësh, ku iu bashkua të ashtuquajturit «Shtet Islamik». Ai ishte ndër xhihadistët e rrallë që jepte intervista për mediumet zvicerane, mbante kontakt me gazetarë dhe ekspertë të terrorizmit, thoshte se jeta në «Kalifat» është e bukur, se ai po angazhohej në zbulimin e spuinëve, se po «kontrollte kufirin» – dhe në kohë të lirë bënte xhiro me barkë në lumin Tigër.
Gazeta zvicerane «20minuten» shkruan se një ndër arsyet e vrasjes së Valdet Gashit mund të jetë përpjekja e tij për të liruar disa robër të komunitetit fetar jezid, të cilët «Shteti Islamik» i trajton si armiq dhe i terrorizon mizorisht. Tobias Huch, politikan i Partisë Liberale të Gjermanisë (FDP) dhe themelues i organizatës «Ndihma liberale për refugjatë» ka deklaruar: «Deri një ditë para vdekjes së Gashit kam mbajtur kontakt personal me të. Qëllimi ishte që të lirohen gratë dhe fëmijët». Gashi, sipas Huch, kishte ndërmjetësuar. «Ai ka zhvilluar disa biseda me prijës të ‹Shtetit Islamik›». Politikani gjerman ka treguar se Gashi i kishte thënë se për lirimin e robërve ishte motivuar nga një citat i profetit Muhamed: «Kush e liron një skllav gjatë Ramazanit, atë do e shpëtojë Allahu nga zjarri i ferrit». Në bazë të këtyre informatave Tobias Huch spekulon se Gashi e kishte dënuar veten me vdekje pas angazhimit të tij për jezidët. Sipas tij prijësit e «Shtetit Islamik» ose e kanë vrarë vetë Gashin ose e kanë dërguar në front, ku kanë llogaritur se do të vritet. Huch supozon se Gashi mund të ketë rënë viktimë e naivitetit të tij: «Ai ndoshta ka dashur të ndihmojë në Siri, por për këtë ai mbase ishte në anën e gabuar të ‹Shtetit Islamik›».
Pak a shumë të njëjtin mendim e përfaqëson edhe Samuel Althof, ekspert i ekstremizmit nga Baseli. Gashi e kishte njoftuar Althofin për idenë e tij për të liruar robër. Tri gjëra i synonte Gashi: së pari lirimin e jezidëve, së dyti shitjen e tyre palës kurde dhe sigurimin e një shume të parave, të cilat ai do t’ia jepte «Kalifatit» të «IS», së treti ai do të shihej në opinion si çlirimtar dhe jo si terrorist. Kështu supozon dhe spekulon Althof mbi shkaqet e vdekjes së Valdet Gashit – vdekje që ende nuk është e konfirmuar nga burime të pavarura. «Ndonëse Gashi dëshironte t’u ndihmonte skllevërve, ai nuk është hero – ai i ka arsyetuar krimet e tmerrshme të IS, i ka minimizuar ato dhe kështu edhe vetë ka shkaktuar vuajtje të viktimave», deklaroi Althof.