Varianti britanik në Kosovë, alarm për kujdes dhe respektim të masave

Paraqitja e rasteve në Kosovë me variantin britanik të koronavirusit, duhet të jetë alarm për qytetarët për kujdes dhe respektim të masave kundër pandemisë, thonë infektologët Salih Ahmeti dhe Ilir Tolaj.

Ata paralajmërojnë se në javët në vazhdim Kosova mund të regjistrojë rritje të rasteve të reja me koronavirus edhe për faktin se partitë politike po zhvillojnë tubime elektorale, në të cilat, në shumtën e rasteve nuk po respektohen dy masat kryesore kundër pandemisë: mbajtja e maskës dhe distancës.

Varianti i ri, që fillimisht u identifikua në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit të kaluar, sipas ekspertëve, është më ngjitës se varianti fillestar i koronavirusit, që u shfaq për herë të parë në fund të 2019-ës në Vuhan të Kinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ky variant tashmë është përhapur në mbi 70 vende të botës. Por, ky nuk është i vetmi variant i koronavirusit. Dy variante të reja janë zbuluar në Brazil dhe Afrikë të Jugut, po ashtu.

Infektologu në Klinikën Infektive në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, Sali Ahmeti, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se me paraqitjen e rasteve me variantin e ri britanik, Kosova nuk duhet të relaksohet, por që qytetarët dhe institucionet duhet të rrisin vigjilencën.

“Variantin e ri e kemi në mesin tonë. Kjo nuk do të thotë se ka nevojë për ndonjë shqetësim të veçantë, pasi ky variant nuk ka ndryshime të mëdha në raport me variantin e mëparshëm. Në aspektin klinik, ky variant nuk dallon shumë nga varianti paraprak, por mundësia e përhapjes është më e madhe, natyrisht edhe prekja e moshës se re është më madhe. Por, ky është një alarm që ne nuk duhet të relaksohemi. Duhet të jemi sa më të kujdesshëm në respektimin e masave mbrojtëse kundër mundësisë së marrjes së infeksionit me koronavirus”, tha Ahmeti.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armedn Zemaj, të premten në një konferencë për media, ka thënë se nga 30 mostrat e dërguara për analizim në një laborator në Gjermani, tre nga to kanë rezultuar pozitive me variantin e ri britanik.

Tolaj: Tubimet e partive politike do rrisin rastet me koronavirus

Infektologu tjetër Ilir Tolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata epidemiologjike, aktualisht është më e volitshme në Kosovë sesa në vendet tjera. Por, me vetë faktin se 10 për qind e mostrave kanë rezultuar pozitive me variantin e ri, në javët e ardhshme pritet të ketë rritje të rasteve. Rritjes së numrit të të infektuarve do t’i kontribuojnë tubimet e partive politike me numër të madh të qytetarëve në ambiente të mbyllura dhe të hapura, tha Tolaj.

“Prandaj, këto tubime së bashku me variantin e ri, që me siguri ka aftësinë e përhapjes më të madhe, mund ta nxjerrë situatën nga kontrolli dhe mund ta nxjerrë Kosovën nga kjo situatë e volitshme. Pra, situata mund të dalë nga binarët dhe atëherë masat e jashtëzakonshme të jenë të domosdoshme. Kurse në këtë situatë, e domosdoshme është ndalimi i organizimeve të partive politike në ambiente të mbyllura pa maska dhe pa distancë”, thekson ai.

Ahmeti: Rritja e rasteve do vështirësojë punën në spitale

Rritja eventuale e rasteve me variantin britanik, infektologu Ahmeti thotë se do vështirësojë punën në sistemin shëndetësor.

“Këto ditë qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në mënyrë që mos të kemi rritje të numrit të rasteve. Unë nuk besoj se do të na sjellë në situata kolapsi, por punën patjetër do të na vështirësojë. Madje, stafi shëndetësor nuk e ka më freskinë e ditëve të para, kur janë paraqitur rastet e para me koronavirus. Një pjesë e tyre janë të infektuar dhe janë në izolim, kanë një lodhje kronike. Kjo nuk do të thotë se nuk jemi në gjendje ta përballojmë këtë, por do jemi në kushte dhe rrethana më të vështira”, tha Ahmeti.

Në shumicën e klinikave të QKUK-së është duke u punuar me kapacitete të plota, ka thënë të premten Valbon Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

“Edhe më tutje spitalet tona janë të mbushura me numër të lartë të pacientëve të prekur me COVID-19. Në fillim të këtij muaji kishim një rënie të lehtë të të hospitalizuarve, ky numër kishte rënë nën 500. Dy javët e fundit, ky numër ka shënuar një rritje të lehtë. Të premten kanë qenë të shtrirë, 535 pacientë në spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e QKUK-së”, deklaroi Krasniqi.

Pas rritjes së shqetësimeve lidhur me përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit, që janë më ngjitës, qeveritë në mbarë botën kanë njoftuar për kufizime të reja të udhëtimit, që do të hyjnë në fuqi gjatë kësaj fundjave.

Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Portugalia dhe Republika Çeke janë në mesin e shteteve të fundit që kanë njoftuar për kufizime të reja të udhëtimit, pas paraqitjes së varianteve të reja, që fillimisht u identifikuan në Mbretëri të Bashkuar, Brazil dhe Afrikë të Jugut.

Aktualisht Kosova ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt Mbretërisë së Bashkuar, prej raportimit të variantit të ri me koronavirusit në këtë shtet vitin e kaluar.

Që prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruara rastet e para më koronavirus, deri më 30 janar 2021, Kosova ka regjistruar 59.931 raste me sëmundjen COVID-19. Prej tyre, 1.492 pacientë kanë vdekur dhe 52.208 janë shëruar. Raste aktive vazhdojnë të jenë 6.231./ REL

SHKARKO APP