“Vatra”: Dy qeveritë shqiptare harruan Luginën e Preshevës

Lëvizja “Vatra” nëpërmes një komunikate për media u ka bërë thirrje dy qeverive shqiptare të punojnë në favor të Luginës së Preshevës dhe mos ta përdorin mbledhjen mes tyre si marketing.

“Vatra” kritikojnë qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë sepse sipas saj, ato kanë harruar Fondin për Luginën. Ata më pas përmendin këtë fond si pjesë e talljes së kryeministrit serb Vuçiç.

“Në kuadër të mbledhjes së dytë të dy qeverive, shprehim një notë kritike për të dy qeveritë atë të Kosovës dhe të Shqipërisë, se e kanë harruar Fondin për Luginën dhe nuk kanë zbatuar pika të rëndësishme të dala nga rezoluta e vitit 2013, që është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Nga miratimi i rezolutës e deri tani ka pasur vetëm një shkëndijë në këtë drejtim, ku qeveria e Kosovës në vitin 2014 ndau vetëm 100 mijë euro për këtë fond zhvillimor që u krijua në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Ky fond nuk u bë fond i përhershëm ashtu siç u kërkua në rezolutë por mbeti vetëm ad-hoc dhe kjo shumë aq e vogël sa u dha nga dy qeveritë e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë u përdor dhe si adut tallës nga kryeministri Vuçiq gjatë vizitës në Preshevë, ku tha se ‘ata të juajt nuk po ju dëgjojnë fare’”, thuhet nga kjo lëvizje.

Investimet potenciale nga Kosova dhe Shqipëria në Luginën e Preshevës do të ishin jetike për banorët atje, shton “Vatra”.

“Nevojat e qytetarëve të Luginës janë shumë të mëdha, duke ditur diskriminim që po i bën regjimi i Serbisë tri komunave, asaj të Bujanocit, Preshevës, dhe Medvegjës, në ndarjet buxhetore duke i ndarë vetëm një shumë simbolike sa për të thëne në sytë e opinionit se ja edhe këtyre komunave ne i ndajmë buxhet. Kjo ka bërë që nevoja për investime nga Kosova dhe Shqipëria të jetë shumë e mirëseardhur dhe shumë jetike për këta banorë”, thuhet gjithashtu në komunikatën e “Vatrës”.

“Vatra” ka edhe një kërkesë për ministren për dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri.

“Tani shohim Edita Tahiri që fletë se do të diskutohet për Luginën, mirë do ishte të diskutohet aty ku është vendi e kuvendi, në bisedimet në Bruksel e jo në portale e gazeta të Kosovës, sepse kjo vetëm sa po i irriton luginasit, të cilët nuk po shohin ndonjë sinqeritet nga ana e Kosovës dhe e Shqipërisë”, përfundon komunikata.

SHKARKO APP