Vdes foshnja, policia nis hetime në gjinekologji
Familjarët kanë akuzuar mjekun kujdestar për moskujdesje dhe neglizhencë në punë. Rasti është lajmëruar menjëherë tek autoritetet lokale të rendit në Prizren, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar hetimet për rastin. “Një qytetar ka denoncuar në Policinë e Prizrenit neglizhencën e mjekut kujdestar në repartin e lindjeve në spitalin rajonal”, ka thënë për gazetën Tribuna, zëdhënësi i policisë rajonale, Hazir Berisha.
Sipas tij, familjarët kanë denoncuar mjekun kujdestar që ka lënë pacienten në dhomën e pritjes dhe është marrë me raste tjera.
Lënda ende në prokurori
“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që të iniciohet hetimi, ndërsa trupi i pajetë i foshnjës të dërgohet në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi”, ka thënë ai.
Ndërsa Metush Biraj, ushtrues detyre i kryeprokurorit në Prizren ka deklaruar për gazetën se lënda nuk ka shkuar ende në prokurori dhe se rasti është duke u hetuar ende nga policia.
“Lënda nuk ka ardhur në prokurori, por është lëshuar një urdhëresë që trupi pajetë i foshnjës të dërgohet për autopsi në Departamentin e Mjekësisë Ligjore”, ka thënë Biraj. Mësohet se së bashku me policinë rastin po e heton edhe prokurorja e shtetit Nazan Shero.
Avdaj: Shkaqet e vdekjes dihen pas autopsisë
Gazeta ka kontaktuar edhe me drejtorin e spitalit rajonal në Prizren, Afrim Avdaj, i cili ka thënë se mjekët në gjinekologji kanë bërë përpjekje që të shpëtohet jeta e foshnjës dhe se shkaqet e vdekjes do të mësohen vetëm pasi që të bëhet autopsia e saj.
“Unë si drejtor kam marrë deklaratat e të gjithëve. Në vendin e punës kanë qenë të gjithë mjekët specialistë dhe infermierët. Masat janë ndërmarrë edhe nga reanimatorët. Të gjitha përpjekjet janë bërë që të shpëtohet jeta e foshnjës dhe se shkaqet e vdekjes së saj do të mësohen, pasi t’i bëhet autopsia”, ka thënë Avdaj, duke shtuar se në gjinekologjinë e spitalit në Prizren punojnë 18 mjekë.