Veliaj: Betejat për liri duhet të vazhdojnë çdo ditë

Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Kosovës kanë përkujtuar sot 18 vjetorin e Ditës së Rënies së heroit legjendar të Luftës së Kosovës, Adem Jashari. Për këtë qëllim u zhvilluan homazhe te Monumenti i heroit që gjendet në Rrugën e Durrësit, ku mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Kosovës në vendin tonë, Ramiz Lladrovci, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, anëtarë të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Tiranës dhe Shoqatës së ish-Luftëtarëve Shqiptarë në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në emër të Bashkisë së Tiranës, kryetari Veliaj vendosi kurorën me lule në nder dhe kujtim të veprës së Adem Jasharit në përpjekje për çlirimin e Kosovës. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, ai vlerësoi lart figurën e heroit Adem Jashari, i cili me luftën e tij u kthye në një motivim për të gjithë ata që kërkonin pavarësinë e Kosovës, brenda dhe jashtë saj. “Më vjen mirë që bashkë me ambasadën e Kosovës vazhdojmë një traditë të përkujtimit çdo vit të komandantit Adem Jashari, sepse për të ecur përpara duhet të kujtojmë si kemi mbërritur deri këtu. Një Kosovë e lirë, një Shqipëri e lirë, i’u dedikohet atyre që luftuan për liri. Betejat nuk kanë mbaruar, betejat për liri duhet të vazhdojnë çdo ditë, për të siguruar atë për të cilën shumë dhanë jetën”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se lufta dhe sakrifica e të gjithë heronjve që kanë dhënë jetën për kombin shqiptar, duhet të jetë një detyrim për të gjithë shqiptarët sot, që të punojmë për zhvillimin e shteteve shqiptare në të dy anët e kufirit. “Sot, Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për sakrifica të përditshme, për të shtyrë përpara amanetin e atyre që dhanë gjënë më të çmuar, për të parë ditë të bardha dhe për një komb më të begatë në të dy anët e kufirit”, theksoi Veliaj.

Nga e ana tij, ambasadori kosovar në vendin tonë, Ramiz Lladrovci ka falenderuar Shqipërinë për vlerësimin që i bënë heronjve të Luftës së Kosovës. “Bashkë me kryetarin dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes jemi këtu për të respektuar kujtimin e veprës dhe jetës së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Kështu që, unë i përgëzoj të gjithë qytetarët shqiptarë kudo ku janë, që këtë ditë ta kujtojmë për jetë e mot”, tha ambasadori Lladrovci.

SHKARKO APP