Veliaj uron për rizgjedhjen Shpend Ahmetin dhe Teuta Arifin

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka uruar për rizgjedhjen Shpend Ahmetin dhe Teuta Arifin. Përmes një postimi në tëitter, Veliaj  thekson se tashmë është koha për të çuar edhe më tej përpara bashkëpunimin e nisur një vit më parë me Bashkinë e Tiranës. “Urime Shpend. A & Teuta Arifi për rizgjedhjen në Prishtinë e Tetovë. Një vit pas Unionit të Bashkive Shqiptare, koha ta çojmë më tej bashkëpunimin”, shkruan Veliaj.

Një vit më parë u konkretizua nisma e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për krijimin e rrjetit të kryetarëve të bashkive dhe komunave që drejtohen nga shqiptarët në rajon me qëllim krijimin e një klime dhe të gjithë mekanizmave të nevojshëm të bashkëpunimit mes qyteteve shqiptare në rajon.

Marrëveshja e bashkëpunimit e firmosur nga kryetarët e bashkive parashikon krijimin e një platforme bashkëpunimi, e cila do t’u lejojë bashkive të rrisin shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës në fushat e urbanistikës, inovacionit, mjedisit, kulturës dhe formave të reja të financimit.

Gjithashtu, përcaktohet angazhimi për të bashkëpunuar për thithjen e fondeve dhe të projekteve rajonale dhe ndërkufitare, ndonjëherë dhe duke aplikuar bashkë, aty ku mund të aplikohet, si dhe mbështetja e njëri-tjetrit me masa, asete, ekspertizë, dhe personel në rast të emergjencave civile.

SHKARKO APP