Vendimi për mandatarin, Thaçi: E kam nënshkruar, pres që Kurti ta pranojë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vendimin për mandatarin për kryeministër e ka nënshkruar dhe se pret që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ta pranojë atë. ”Ajo që dua të ndodh është respektimi i plotë i vullnetit të qytetarëve të Kosovës të shprehur me 6 tetor. Partitë politike në përputhshmëri me rezultatin zgjedhor duhet t’i japin zgjidhje këtij procesi në mënyrë që të implementohet vullneti qytetar”.
Nga ana tjetër, ai tha se “Adresa e zgjidhjes së këtij ngërçi është ende tek partitë politike. Në momentin kur të kalojë në një fazë tjetër, Presidenti i vendit duke ushtuar të drejtën e tij kushtetuese dhe ligjore, natyrisht se do të punojë me tërë potencialin dhe në konsultim me partitë politike që të garantohet funksionimi demokratik i institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Thaçi ka theksuar se Kosova nuk do të mbetet e bllokuar për shumë gjatë dhe se do të shikohen të gjitha mundësitë e variacioneve politike që të gjendet një zgjidhje e cila është në përputhje me vullnetin qytetar.
”Për hir të korrektësisë, ju e dini letrat që ia kam dërguar kryetarit të partisë së parë në Kosovë, [Albin Kurtit aktualisht] që ta merr qysh e do rendi, rregulli dhe përgjegjësia politike qytetare edhe zyrtarisht të drejtën e mandatarit për themelimin e qeverisë. Takimi ynë që ka qenë në zyrën time ka qenë një takim i një vullneti të mirë. Por, në të njëjtën kohë dua të shpresoj dhe e ftoj përsëri që të mos vazhdojë të mbetet vendimi im që e kam nënshkruar [ku Albin Kurti nominohet si kandidat për Kryeministër] në tavolinën time”.