Veriu voton për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë
Në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët votojnë sot nëse duan apo jo të largojnë kryetarët komunalë shqiptarë. Procesi mbahet mes thirrjeve nga Lista Serbe për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, në konferencën e parë për media, bëri të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur.
Ato do të mbyllen në orën 19:00.
Elezi tha se “mund të ketë pasur ndonjë vonesë teknike në hapjen e ndonjë vendvotimi”, por shtoi se kjo është gjë e zakonshme.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë, që gjendet në terren, raporton se në orën e parë pas hapjes së vendvotimeve në Mitrovicë të Veriut askush nuk e shfrytëzoi të drejtën e votës.
Në qendrat e votimit u panë vetëm vëzhguesit zgjedhorë, por jo edhe qytetarë që votonin.
Situatë e ngjashme është edhe në Zubin Potok. Në qendrën e votimit, që gjendet në ndërtesën e komunës, sipas gazetarëve të REL-it, mëngjesin e së dielës askush nuk e shfrytëzoi të drejtën e votës.
Po ashtu, në Leposaviq, përkatësisht në qendrën e votimit që gjendet në katin e fundit të ndërtesës së komunës, ekipi i Radios Evropa e Lirë mëngjesin e 21 prillit nuk pa asnjë qytetarë duke votuar.
Ndërkaq, disa patrulla policore janë parë para ndërtesës rë komunës së Leposaviqit.
Për këto votime, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të drejtë vote kanë 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.
Në Mitrovicë të Veriut, të drejtë vote kanë 18.796 persona. Në Leposaviq, ky numër është 13.674. Në Zveçan të drejtë vote kanë 7.209 persona, ndërkaq në Zubin Potok 6.877 persona. Që votimi për shkarkimin e kryetarëve të konsiderohet i suksesshëm do të duhen të votojnë 50 për qind plus një votues, në komunat përkatëse.
Në katër komunat në veri do të jenë 23 qendra votimi, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht.
Sipas KQZ-së, në Leposaviq do të jenë tetë qendra votimi, ndërkaq në Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut nga pesë – numër shumë më i ulët i qendrave të votimit në veri nga 43 sa ishin miratuar fillimisht nga KQZ-ja.
Në mbledhjen e fundit të KQZ-së të mbajtur një ditë para votimeve, u tha se drejtorët e 33 shkollave në veri – që punojnë sipas sistemit serb- kanë thënë se kanë “aktivitete shkollore” dhe nuk mund t’i japin për shfrytëzim objektet për procesin votues. Prandaj, KQZ-ja ka vendosur që disa objekte alternative të shndërrohen në vendvotime.
Pse po mbahen votimet?
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit të vitit 2023, që u mbajtën pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022 në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targat të Qeverisë së Kosovës, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Si rrjedhojë, udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, udhëheqja e Zveçanit iu besua Ilir Pecit po nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në maj 2023, kur këta kryetarë – përjashtuar Atiqin – shkuan në zyre për të nisur mandatin, u përballën me revoltë të popullatës lokale, të cilët protestuan para ndërtesave komunale, të cilat njëkohësisht ishin objekte të komunave që funksionojnë sipas sistemit serb.
Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, pas përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Për pasojë, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.
Faktori ndërkombëtar i bëri thirrje Kosovës që të organizojë votime të reja.
Në shtator 2023, Qeveria e Kosovës nxori një udhëzim administrativ që u mundësonte qytetarëve të ndiqnin disa procedura për të shkarkuar kryetarët.
Sipas udhëzimit, serbët, përmes peticioneve mblodhën 20 për qind të nënshkrimeve të nevojshme – nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar – dhe KQZ-ja vendosi 21 prillin si datë të votimit.
Sipas udhëzimit, do të duhen 50 për qind, plus një votë, nga lista e votuesve të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse. Më pas, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat që nga 30 deri 45 ditësh të shpallë zgjedhjet.
Teksa KQZ-ja veçse kishte nisur procedurat për organizimin e votimeve, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – më 7 prill njoftoi se do të bojkotonte votimet.
Kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, u ankua se autoritetet kanë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”, duke argumentuar se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.
“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha ai.
Në ditët në vijim, Lista Serbe tërhoqi anëtarët e saj nga Komisionet Komunale Zgjedhore.
Vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar votimet u kritikua nga Bashkimi Evropian, që i bëri thirrje këtij subjekti që të rishqyrtojë vendimin dhe të mos bëjë thirrje për bojkot.
Kryeministri i Kosovës, Kurti, ndërkaq, më 19 prill u bëri thirrje serbëve që të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarët, duke argumentuar se ata mund të shkarkohen vetëm përmes votave, “e jo bandave”. Ai tha se nëse qytetarët vendosin të shkarkojnë kryetarët, Qeveria garanton se ky vendim do të zbatohet “me shpejtësi”.