Veseli: Çdo qeveri që rrezikon raportet me SHBA mund të bjerë

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot në Mitrovicë se çdo qeveri që rrezikon raportet me SHBA-në dhe bazën e Bondsteel-it në Kosovë, mund të bjerë. Veseli tha se ai është tërhequr nga debati për raportet e Kosovës me SHBA-të, pasi sipas tij është e turpshme se si po trajtohen qytetarët e vendit.

“Të gjitha qeveritë mund të ecin e Bondsteeli jo. Asnjë Qeveri nuk mund të rrezikojë raportet e shenjta me SHBA. Ju e keni vërejtur që unë jam tërheq nga ky debat dhe po më vjen turp se si po e trajtojnë qytetarin tonë. Nuk bën kështu, kemi obligime. Kushtetuta është dhe ligjet janë. Qytetarët e Kosovës dhe institucionet e mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”, deklaroi Veseli, pas hapjes së qendrës së inovacionit dhe ndërmarrësisë në Mitrovicë.

Veseli tha se Serbisë do t’i përgjigjemi ashtu si e meriton dhe se politikanët e kanë për detyrë mbrojtjen e Kosovës.
“Serbisë do ti përgjigjemi ashtu si e meriton. Si me tarifë ashtu edhe me reciprocitet. Nuk duhet me marrë këtë pjesë si sherr të vetvetes se e kanë tepruar disa duke e marrë si individuale. Nuk mundet askush vet me mbrojt Kosovën. Ju kujtohet kur i pata thënë Avduallahut që me na lanë edhe neve me i ndihmu me mbrojt Kosovën. Edhe këta tjerët, njësoj duhet me ditë që më së miri Kosova mbrohet nga të gjithë bashkërisht. Ne politikanët e kemi përgjegjësi me ju përgjigj qytetarëve, Kushtetutës dhe ligjeve të cilat janë në fuqi. I shenjtë është sovraniteti i Kosovës”, tha Veseli.

SHKARKO APP