Veseli: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, ngjarja më e rëndësishme për historinë e Kosovës

 

Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës sot u mbajt seancë solemne dhe u vendos e shkruar në mermer Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës, pranë Deklaratës së Pavarësisë të 17 Shkurtit 2008 të Kosovës shtet i njohur deri sot nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së.

Me pjesëmarrjen edhe të Presidentës së Republikës, Atifete Jahjaga dhe shumë të ftuarëve, me rastin e shënimit të 25 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, Kuvendi i Kosovës, mbajti sot një seancë solemne, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit. Në këtë mbledhje morën pjesë deputetët e Kuvendit të Kosovës, delegatët e Kuvendit të Kosovës të Legjislaturës – dhjetor 1989 – maj 1992, të kryesuar nga Ilaz Ramajli, ambasadorë të vendeve të ndryshme nga bota,si dhe pjesëmarrës të tjerë.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli duke marrë fjalën në seancë është kthyer prapa duke kujtuar ngjarjet që i kanë paraprirë kësaj date historike.

“2 Korriku i vitit 1990 ishte ngjarja më e rëndësishme për historinë e Kosovës”, tha Veseli duke përshëndetur protagonistët e asaj ngjarjeje që janë prezentë në seancë si dhe senatorin amerikan Eliot Engel i cili këto ditë po qëndron në Kosovë.

Veseli theksoi se “deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 përbën një moment të rëndësishëm në historinë e lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX”.

SHKARKO APP