Veseli i jep të drejtë Ramës: Kosova nuk humbet asgjë nga marrëdhëniet e mira Shqipëri-Serbi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur në lidhje me polemikat e shumta të shkaktuara pas vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Serbi.
Në një status në faqen e tij në “Facebook”, kryeparlamentari kosovar duket se i jep të drejtë kryeministrit shqiptar, pasi thekson se “zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë është një vlerë më shumë në rrugën rajonale të integrimeve euro-atlantike. Kosova nuk humbet asgjë nga ky zhvillim”.
“Raportet e Kosovës me Shqipërinë janë raporte vëllazërore. Janë shembull se si duhet të ndërtohen raportet mes shteteve dhe popujve në të gjithë rajonin tonë. Zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve në mes Shqipërisë dhe Serbisë është një vlerë më shumë në rrugën rajonale të integrimeve euro-atlantike. Kosova nuk humbet asgjë nga ky zhvillim. Përkundrazi, përfiton edhe më shumë, ngase po ndërtohet një klimë e përgjithshme e komunikimit dhe dialogut rajonal. Është në interesin e Kosovës që Shqipëria të flasë dhe të përçojë zërin e Kosovës kudo ku ne ende nuk arrijmë të kemi përfaqësim institucional. Sot, si kurrë më parë, me Shqipërinë duhet të kemi debat për marrëdhëniet ekonomike, e jo debat simbolesh. Është koha për ekonomi, jo për histori e romantizëm”, – ka shkruar Veseli.