Veseli kërkon njohjen e Kosovës nga Amerika Latine
Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar në Panama që Amerika Latine ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Në një intervistë të dhënë për agjencinë spanjolle EFE, e cila është botuar në mediat kryesore të vendeve Amerikanolatine dhe botërore, Veseli ka thënë se njohja e Kosovës nuk ka kurrfarë implikimi për gjendjen e brendshme të vendeve të Amerikës Latine. “Ne duam që të na shohin si një shteti i ri dhe demokratik, i cili ka për qëllim paqen, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik", citohet të ketë thënë kryeparlamentari Veseli për agjencinë spanjolle EFE. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po merr pjesë si i ftuar nderi në mbledhjen e asamblesë parlamentare Euro-Amerikanolatine Parlamentare (Eurolat), që po i zhvillon punimet e saj prej ditës së djeshme në Panama dhe ai kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Amerika Latine. "Më shumë se gjysma e vendeve të Amerikës Latine nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës", tha sot Veseli për EFE.
Panamaja, Kosta Rika, Honduras, Republika Dominikane dhe Kolumbia janë disa nga vendet e kontinentit që kanë pranuar autoritetin e Prishtinës.