Veseli: Oferta ime i ka rrënjët në fitoret historike të PDK-së
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovë, Kadri Veseli, ka thënë se PDK-ja është një organizatë shumë e çmuar e jetës politike të Kosovës, e cila ka luajtur rol protagonist në shpalljen e pavarësisë dhe në konsolidimin e shtetit tonë të ri.
Ai ka shtuar se PDK-ja ka dëshmuar frymë të lartë institucionale, qoftë në opozitë e qoftë në pushtet, duke i ka dhënë vendit kuadro e menaxherë të shquar. “Është treguar e hapur për prurje të reja intelektuale dhe të të rinjve si asnjë parti tjetër, si dhe ka ditur që të hartojë programet më efikase dhe të suksesshme për vendin”, është shprehur Veseli.
Gjithashtu, Veseli ka thënë se mbështetjen e anëtarëve dhe votuesve të PDK-së për të marrë përsipër detyrën e drejtimit të kësaj organizate politike, nuk e sheh vetëm si privilegj, por edhe si obligim për të punuar më shumë për konsolidimin e partisë.
“Gjatë ditëve në vijim, do të vizitoj të gjitha rajonet e Kosovës, do të bashkëbisedoj me anëtarët dhe votuesit besnik të partisë sonë dhe do të angazhohem për mobilizimin dhe forcimin e strukturave të partisë”, ka thënë Veseli.
Ai ka thënë se oferta e tij i ka rrënjët në sukseset e njëpasnjëshme historike të PDK-së dhe se do të ndjek rrugën e trasuar prej ish-kryetarit të partisë, por që ofron edhe një vizion të tij për një parti bashkëkohore evropiane të qendrës së djathtë.