Veseli: Trepça, jo pjesë e pazareve me Beogradin
Trepça nuk do të jetë asnjëherë pjesë e pazareve në tavolinën e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe i Partisë Demokratike, Kadri Veseli.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Veseli ka thënë se Trepçës përmes Ligjit të aprovuar në Kuvendin e Kosovës i hapet për herë të parë një perspektivë ekonomike.
“Çdo tentativë për politizimin e Trepçës ka vetëm një qëllim – që ta mbajë atë të frenuar në procesin zhvillues. T’i mbajë qytetarët e Kosovës anë e kënd pa dallim etnie më të varfër, ta mbajë Kosovën me eksporte. Përndryshe, çështja e Trepçës nuk duhet të politizohet. Është çështje që tërësisht ka të bëjë me ekonominë e vendit e cila duhet të ecë përpara”, ka thënë Veseli.
“Kosova e ka të determinuar fare qartë përmes Kushtetutës së vet çështjen e burimeve të veta minerale. Ato i takojnë vetëm Kosovës. Por, ne aktualisht jemi duke folur për një ish-gjigant ekonomik i cili ka nevojë për një perspektivë ekonomike në bazë të rregullave të ekonomisë së tregut”, ka thënë më tej Veseli.
Në pyetjen se sa e siguron apo garanton ky Ligj që e miratoi Kuvendi, Trepçën që në të ardhmen të rivitalizohet, Veseli ka thënë se Ligji siguron parakushtet reale.
“Ligji për Trepçën vetëm e jep një mundësi për një vizion të ri të zhvillimit ekonomik. Ku do t’i jepet perspektivë transformimit teknologjik, eksploatimit të resurseve minerale, shtimit të vlerës së resurseve minerale në një proces afat shkurtë. Me Ligjin për Trepçën vetëm është hapur një dritë jeshile e transformimit, por faza vendimtare e zhvillimit të Trepçës do të jetë në muajt të cilët do t’i kemi shumë shpejt, për arsye se brenda gjashtë muajve duhet të kemi një strategji të transformimit të kësaj shoqërie aksionare, ku pjesëmarrës është komuniteti, pjesëmarrës janë minatorët dhe të njëjtën kohë janë edhe institucionet e Republikës së Kosovës të cilat, për rreth 17 vite kanë investuar në Trepçë”.
“Kjo nuk është e drejtë. Ne presim një reflektim më të mirë nga Beogradi zyrtar, veçanërisht në procesin e dialogut që të respektohen marrëveshjet për të cilat jemi marrë vesh. Marrëveshja për lëvizjen e lirë, marrëveshja për targat e makinave, ajo për prefiksin telefonik e shumë të tjera, në mënyrë që të dy shtetet të mos e bllokojmë njëra tjetrën në procesin e integrimeve. Një Serbi dhe Kosovë si shtete të pavarura e sovrane me raporte të mira fqinjësore do t’i jep një imput më të fuqishëm të dyja vendeve, veçanërisht në fushën e investimeve të huaja, thithjen e investimeve të huaja. Përndryshe, momentet e krizave të cilat krijohen shpesh artificialisht nga Beogradi zyrtar, nuk e kanë efektin të cilin e mendojnë as për vet Republikën e Serbisë”.
Ndër të tjera, Veseli është pyetur konkretisht nëse Trepça do të jetë apo jo pjesë e bisedimeve të Brukselit.
“Trepça është pronë e qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie. Trepça ka perspektivë ekonomike. Do të ketë një fuqizim relativisht të theksuar në muajt e ardhshëm, transformimin e vet në konkurrencën e fushës së mineraleve, përpunimin e tyre, shtimin e vlerës së tyre. Por, Trepça nuk do të jetë asnjëherë në tavolinën e pazareve politike, diplomatike apo ndër etnike, për arsye se vetëm krijohet komplikim”.