Vështirësitë e gërmimeve në Kizhevak, pala kosovare mbylli kërkimet më 26 maj, u gjetën 10 trupa gjithsej

Në minierën e hapur të Kizhevakut, në jug të Serbisë, gjen sot trëndafila të kuq e një ekskavator.

Kaq kanë mbetur pas më shumë se 6 viteve gërmime, në kërkim të të vrarëve e të varrosurve nga serbët gjatë luftës në Kosovë.

Kërkimet nga pala kosovare nisën nëntorin e shkuar dhe u mbyllën më 26 maj, me 10 trupa gjithsej.

“Kjo ka qenë java e fundit dhe ne e kemi pritur se kryhen sepse nuk ka pasur edhe shumë punë që kanë mbetur, por bash sot e kemi diskutuar me doktor Musën, me Dritonin se ne jemi aq shumë të përkushtuar në aspektin profesional sa që harrojmë atë anën humane. Sot në përfundim na ra në mend që duhet nganjëherë të përjetojmë emocionalisht sepse nuk mjafton vetëm profesionalisht me u fokusuar. Edhe pse është një proces i dhimbshëm, megjithatë ne e konsiderojmë se do të jetë një lehtësim për familjet, për të afërmit e tyre që më në fund do t’iu kthehen familjet e tyre,” tha Haliti.

“Vitin e kaluar me 16 nëntor kemi hasur në mbetjet e para kockore. Janë gjetur apo identifikuar dy raste të reja dhe një ribashkim. I cili ndërlidhet me gjysmën e trupit i cili është dorëzuar me vitin 2015 në rastin e Rudnicës. Kjo ka qenë indikatori që mund t’i takojnë regjionit të Rezallës. Ndërsa, në fazën e dytë, e cila ka filluar me 5 maj dhe sot po mbyllet zyrtarisht janë minimum shtatë persona për të cilit duhet t’i presim analizat e ADN-së. Janë nëntë trupa dhe një ribashkim, në total dhjetë persona,” tha Gërxhaliu.

Nga Komisioni për personat e zhdukur, Kushtrim Gara thotë se eshtrat e gjetura kanë lidhje me lokalicione të tjera të ngjashme, si Rudnica e Rashkës, ku janë zhvarrosur mbi 50 viktima.

“Në bazë të të dhënave që kemi pranuar edhe nga ekspertët mjeko-ligjor të Kosovës, mostrat nga mbetjet mortore që janë zhvarrosur në këtë lokacion gjatë periudhës nëntor-dhjetor të vitit 2020 dhe tani gjatë majit të vitit 2021, janë dërguar për analizë të ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur. Tani ne presim që përmes analizave të ADN-së të njoftohemi dhe momentin e identifikimit, sigurisht që do të vazhdojmë me procedurat e riatdhesimit të mbetjeve mortore të Kosovës,” tha Gara.

Numri i trupave të gjetur deri tani është i vogël dhe familjarët në Kosovë kërkojnë më shumë se 1,600 persona prej 22 vitesh.

Lufta e 1998-99-ës zhduku rreth 6,500 veta, nga të cilët rreth 70 për qind u zbuluan në varre masive në Kosovë e Serbi, ndërsa 16 vende të tilla besohet se fshihen akoma në territorin serb.

SHKARKO APP