Vetëdorëzohet autori, qëlloi me thikë katër kalimtarë në rrugë

I dyshuari për goditjen me thikë të katër personave në Ferizaj, për të cilëve edhe dy të mitura është vetëdorëzuar në Policinë e Kosovës në orët e para të së martës. F.I. është dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit nën dyshimin për kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë në tentativë.

Siç ka bërë me dije prokuroria themelore në Ferizaj i dyshuari ka të kaluar kriminale. Ai ishte dënuar me burgim për vrasje në vitin 2016 dhe ka vuajtur dënimin deri në shkurt te këtij viti. Gjatë së hënës, Policia e Kosovës kishte arrestuar një person tjetër nën dyshimin për goditjen me thikë të katër personave, pasi i përshtatej profilit të të dyshuarit.

I dyshuari rreth orës 15:00 të së hënës ka goditur me thikë dy të mitura në Ferizaj. Vajzat 10 dhe 15 vjeçare ishin mysafire në Ferizaj dhe kishin dalë të shkojnë në dyqan, treguan të martën nga familja Emini, pranë shtëpisë së të cilëve ndodhi sulmi.

I dyshuari F.I. pasi goditi me thikë të miturat ka vazhduar përgjatë rrugës Enver Topalli ku ka sulmuar edhe një person tjetër rreth të 30-tave e pastaj ka goditur po ashtu me thikë edhe një person tjetër në rrugën Halim Spahija. Prokuroria Themelore e Ferizajt thotë se po vazhdon hetimet për të zbuluar motivin që çoi deri te sulmi ndaj katër personave.

SHKARKO APP