Vetëm 5 ditë pas rifillimit, Kosova ndërpret mësimin për nxënësit e klasës së nëntë

Ministria e Arsimit në Kosovë vendosi ditën e djeshme pezullimin e mësimit plotësues për klasat e nënta.

Ky vendim erdhi vetëm 5 ditë pas rifillimit të këtij procesi pas disa muajsh ndërprerje për shkak të pandemisë në mënyrë që nxënësit të përgatiteshin për testin e minimaturës.

Përmes një postimi në Facebook, ministria shkruan se vendimi ka ardhur për shkak të situatës së krijuar gjatë kësaj jave ku sipas tyre, në disa vende nuk janë respektuar masat anticovid.

“Edhe përkundër përgatitjeve jashtëzakonisht të mëdha dhe ndihmës që kanë dhënë drejtoritë komunale të arsimit, shkollat, prindërit dhe institucionet e tjera, informatat nga terreni na kanë treguar se masat mbrojtëse nuk janë duke u respektuar sa duhet”, tha ministri i MASHTI-t, Ramë Likaj, në një deklaratë për media.

Postimi i plotë i ministrisë

NJOFTIM

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka marrë vendim për ndërprerjen e mësimit plotësues për nxënësit e klasave të 9-ta, si masë parandaluese dhe mbrojtëse për shëndetin e fëmijëve, mësimdhënësve, stafit të angazhuar dhe familjeve të tyre.

Këtë vendim, ministri Likaj e ka marrë për shkak të situatës së krijuar gjatë kësaj jave dhe duke u bazuar në informatat e pranuara nga tereni, ku është konstatuar se nuk po respektohen disa nga masat e rekomanduara nga Qeveria, Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe IKSHPK, e në veçanti distanca fizike, mbajtja e maskave, mbajtja e higjienës personale, matja e temperaturës.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) deri më sot ka zbatuar të gjitha rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për parandalimin e COVID-19, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të nxënësve të përfshirë në procesin e mësimit plotësues dy javor dhe përgatitjeve për Testin e Arritshmërisë”, thuhet në Vendim, me të cilin janë obliguar Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA-të) që ta zbatojnë deri në një vendim tjetër.

MASh është e përkushtuar me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për përkrahje të DKA-ve për përfundimin me sukses të vitit shkollor 2019/2020, të vetëdijshëm për sfidat me të cilat po përballemi në kohë pandemie.


Prishtinë
12 qershor 2020

SHKARKO APP