Veteranët e luftës së UÇK-së: Aktakuza është politike
Situata politike në Kosovë, u trondit nga lajmi se zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka ngritur akuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.
Organizata për Veteranët e Luftës së UÇK-së vlerëson se aktakuza nga Prokuroria e Specializuar në Hagë për Presidentin, Hashim Thaçi dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli është krejtësisht politike. Ata po kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale dhe të futen edhe krimet e kryera në Kosovë nga pala serbe.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se Gjykata Speciale është formuar nga raporti i senatorit zviceran Dick Martit mbi të ashtuquajturat ‘trafikime me organe njerëzore në ‘Shtëpinë e verdhë’’ dhe se këto akuza nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta.
Kurse nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj tha se nga mbledhja e këshillit drejtues kanë dalë me disa vendime siç është se ngritja e aktakuzës së pa konfirmuar dhe momenti kur është bërë publike kjo aktakuza, tregon se Gjykata Speciale është e ndikuar politikisht dhe në mënyrë të kundërligjshme po tentohet të pengohet procesi i dialogut Kosovë-Serbi.