VETËVENDOSJE: Pa qeverisje të shumicës parlamentare, nuk ka kuptim Republika e Kosovës

 

Kryetari i VETËVENDOSJE!-s, Albin Kurti, në fillim të fjalës së tij përmendi vetëm disa nga të këqijat dhe skandalet e bëra gjatë qeverisjes së PDK-së në Kosovë, si: lënia e Kosovës pa ushtri, dhe futja e ushtrisë në pazar për vendet e rezervuara; afera Pronto, ku pushtetarët flasin italisht si mafitë nëpër filma; skandali i pasaportave; vjedhjet nëpër dhomat e dëshmive; premtimet në 2010 për liberalizim të vizave për 15 muaj, përderisa i kemi ende në kujtesë pamjet e kampeve të Hungarisë dhe shatorëve të Francës me shqiptarë të arratisur meqë nuk gjeni në Kosovë as mbijetesë e lëre më jetë dinjitoze; Planin Bansko; faljen e Distribucionit; vendosjen e Fusnotës; shtimin e barrikadave në veri; “Parkun e Paqes” mbi urën e Ibrit, që realisht është Park i Dhunës; vrasjen e Enver Zymberit dhe Selver Haradinajt; arratisjen e Xhabir Zharkut; korrupsionin e Ramadan Mujës; falsifikimet e Ibrahim Gashit; vendosjen e Bedri Hamzës si Guvernator në BQK; e të tjera.

 

Duke folur për marrëveshjen e 10 shtatorit, të nënshkruar nga VETËVENDOSJE!, LDK, AAK dhe NISMA, Kurti tha se asnjëra nga pikat e marrëveshjes nuk i konvenon Thaçit. “VETËVENDOSJE! çdo herë ka mbajtur tubime, mbanë edhe tash; ka bërë aksione, bën edhe tash; më herët nuk kemi qenë në parlament, e ka ekzistuar Kuvendi. Tash, porsa u bëmë bashkë kundër PDK-së na e ka bllokuar Kuvendin, tash që porsa u bëmë bashkë në një kurs të ri shtetëror që edhe negociatat, edhe dialogun në përgjithësi, edhe privatizimin edhe zhvillimin ekonomik i bën çështje të qeverisë.  Deri sot, asnjë Qeveri e Kosovës nuk ka guxuar të merret me dialog dhe privatizim. Dialogu dhe privatizimi kanë qenë të paqeverisshme. Ato kanë qeverisur me Qeverinë. Qeveria ka qenë nën dialogun dhe nën privatizimin. Për herë të parë me marrëveshjen e 10 shtatorit qeveria del mbi dialog dhe mbi privatizim”, u shpreh Kurti.

 

Qytetarët  e Gjakovës pyetën për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje, që është përmendur shpesh nga PDK-ja, por Kurti tha se qysh në fillim i ka thënë Presidentes se nuk ka bazë ligjore për të shkuar tash në zgjedhje edhe pse VETËVENDOSJE! gjithnjë është e gatshme. “Janë dy zgjidhje: ose Kuvendi, ose Zanzi bari. Ajo Kuvendin nuk e donte, e Zanzi barin e ndërroi me Hamamin. Bëri skenar se si s’i takojë me Thaçin kryetarin e LDK-së dhe atë të AAK-së. Menjëherë filluan portalet me lajme se “po shkojnë me Thaçin”. Nuk shkuan me Thaçin”, tha Kurti. Ai shtoi se këta që e kanë kapur shtetin duan Republikë Qeveritare, jo Republikë Parlamentare. “Këta duan Republikë pa Parlament. Republika Qeveritare është praktikisht aristokraci. Republika Presidenciale, disa thonë se i ngjanë monarkisë. Republika Parlamentare që e duam ne, i afrohet më së shumti demokracisë. Prandaj insistojmë në Republikë Parlamentare. Nuk ka kuptim të mos qeverisë shumica parlamentare. Cili është kuptimi i Republikës Parlamentare, nëse shumica parlamentare nuk e formon Qeverinë? Nuk ka më kuptim Republika e Kosovës”, tha ndër të tjera Kurti.

 

Deputeti Ilir Deda tha se këta muajt e fundit po e shohim për së afërmi rastin për ta dekriminalizuar shtetin e Kosovës. “Këta siç e patë kanë arritur ta blejnë edhe EULEX-in. Nëse PDK e merr edhe gjysmë mandati, Kosova përfundon. Po mundohen ta mbajnë me zor pushtetin, por për fat nuk kanë arritur ta blejnë asnjë deputet. Ka pas shantazhe e kërcënime, oferta milionëshe që iu kanë dhënë deputetëve të subjekteve tjera, por asnjë nuk është dorëzuar. Pra, ekziston një forcë dhe një vetëdije në anën tonë. PDK kurrë nuk e ka llogaritur që VETËVENDOSJE! do të mund t’i bëjë bashkë tri subjektet tjera. Ne thamë s’ka Thaçi 3, dhe ajo tashmë po ndodhë”, theksoi Deda.

 

Qytetarët e Gjakovës dhanë komentet e tyre për këtë situatë në të cilën gjendet Kosova, duke insistuar në të drejtën e shumicës parlamentare për ta formuar Qeverinë. “Sovrani ta rrëzon secilën Qeveri”, u shpreh shkurt njëri nga qytetarët e Gjakovës. 

SHKARKO APP