“Vetëvendosje”-s i arrestojnë dhe Sekretarin Organizativ

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia e Kosovës ka arrestuar Sekretarin Organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.

Kujtojmë sakaq se edhe pse i kërkuar nga policia, Dardan Molliqaj një ditë më parë mbajti fjalim para qytetarëve të mbledhur për protestën e partive opozitare në Prishtinë.

Ndërsa nga 18 nëntori i vitit të kaluar, Molliqaj ka shmangur daljet publike, pasi gjatë protestës kundër arrestimit të deputetes së AAK-së Donika Kadaj Bujupi, ai është parë duke detyruar të dalë nga makina zyrtare këshilltarin e ministrit të Bujqësisë, Shasivar Haxhiaj, ndërsa kjo makinë më pas u dëmtua nga protestuesit.

Dardan Molliqaj është edhe në listën e të akuzuarve lidhur me rastin e dëmtimit të makinave të EULEX-it në vitin 2009, për të cilin janë lëshuar 21 udhër-arreste, pasi të akuzuarit nuk kanë përfillur ftesat e gjykatës.

Lidhur me dëmtimin e makinave të EULEX-it, përveç Molliqajt, gjatë ditëve të fundit janë arrestuar edhe 8 zyrtarë dhe aktivistë të Vetëvendosjes, përfshi deputetitn Glauk Konjufca.

SHKARKO APP