Vetëvendosje u kërkon llogari institucioneve për vdekjen e Deharit
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sërish për vdekjen e aktivistit të saj, Astrit Dehari, i cili gjendej në paraburgim në burgun në Prizren. Ky subjekt politik kërkon që vdekje e Deharit të zbardhet nga institucionet e vendit.
Vetëvendosje thotë se ka pasur deklarata kontraktiktore të organeve të shtetit lidhur me këtë rast por thonë s ejanë duke bërë maksimumin që të marrin vesh të vërtetën mbi vdekjen e Astrit Deharit.
Ky është reagimi i plotë i Vetëvendosjes:
ZBARDHJE E PLOTË E RASTIT DHE PËRGJEGJËSI INSTITUCIONALE PËR HUMBJEN E JETËS SË ASTRIT DEHARIT
Astrit Dehari mbahej në burg prej 68 ditësh si i burgosur politik me prova të fabrikuara në një proces të montuar gjyqësor.
Në këto momente të rënda për familjarët dhe shokët e Astrit Deharit, dhe për të gjithë ne, Lëvizja VETËVENDOSJE! po ndjek nga afër deklaratat kontradiktore të organeve të shtetit të Kosovës lidhur me vdekjen e tij. Astrit Dehari po mbahej në burg prej 68 ditësh bazuar mbi akuza të montuara për terrorizëm nga Prokuroria dhe Policia e kapur e Kosovës. Astrit Dehari ishte anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Nga njëra anë, Drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur rrugës për në Spitalin e Prizrenit për shkak të konsumimit të barnave. Nga ana tjetër, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka deklaruar se Astrit Dehari ka vdekur pasi ka mbërritur në Spitalin e Prizrenit dhe ende nuk ka nxjerr raport mbi vdekjen e tij. Burime të tjera tregojnë se Astrit Dehari mund të ketë vdekur në burg si pasojë e mungesës së duhur të kujdesit ndaj shëndetit të tij. Kurse kryeprokurori i Prizrenit deklaron se vdekja është e dyshimtë. Të gjitha këto janë informata kontradiktore dhe të papërputhshme.
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë disa herë thirrje dhe protesta për lirimin e aktivistit Astrit Dehari dhe 5 aktivistëve të tjerë që ende mbahen si të burgosur politikë. Protesta e fundit për lirimin e aktivistit Astrit Dehari është mbajtur dje pranë burgut të Prizrenit, por kërkesa jonë e drejtë ka rënë në vesh të shurdhër.
Përtej deklaratave kontradiktore të organeve të shtetit, ndërkohë që ende jemi duke bërë maksimumin për të marrë vesh të vërtetën e plotë mbi ngjarjen, Lëvizja VETËVENDOSJE! mban pikësëpari përgjegjës për këtë vdekje zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës, Prokurorinë dhe Qeverinë e Kosovës që e kanë mbajtur Astrit Deharin si të burgosur politik për 68 ditë rresht pa zhvilluar një gjykim të paanshëm dhe të drejtë me akuza krejtësisht të montuara.