Vetëvendosje: Vjedhja e 2.1 mln € nga thesari dhe një arke 300 kg u organizua nga brenda
Zhdukja e 2.1 milionë eurove nga thesari i shtetit në Kosovë bëri bujë javën e kaluar. Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje në një intervistë për emisionin “Ballkan” u shpreh se vjedhja është krim i organizuar dhe se përgjegjësit duhet të dalin përpara drejtësisë.
“U organizua nga stafi brenda ministrisë së Financave, por në anën tjetër edhe të pronarëve të një kompanie. Kishte para dhe dokumentacion. Skandalet me këtë qeveri janë të përditshme, qoftë me vjedhjen që ndodhi javën e shkuar, qoftë me kushedi të tjera që ne nuk i dimë, qoftë me kapjen e bordeve të ndërmarrjeve publike, qoftë me abuzimet që po bëhen gjithandej në institucione.
Me këtë që ka ndodhur është vështirësuar edhe çështja e liberalizimit të vizave se kur shtetet e tjera shohin që në pikë të ditës nga thesari i shtetit të vidhen 2.1 mln euro dhe në anën tjetër një arkë 300 kg dhe në anën tjetër një kryeministër që shuan departamentin kundër korrupsionit, kjo do ta godasë edhe për së jashtmi përveç së brendshmi Kosovën. Kjo qeveri duhet të largohet sa më parë”.
Ajo akuzoi se Kosova nuk duhet të japë gjithçka për të marrë njohjen nga Serbia dhe se dialogu me Beogradin nuk duhet të shmangë fokusin te problemet e qytetarëve. “Ne i kemi të qarta qëndrimet. Për ne qeveria aktuale ka mungesë legjitimiteti, nuk ka as 61 numrat. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet, mungesë transparence, dhe as platformë për dialogun me Kosovën. Nuk ka konsensus me subjektet opozitare, por edhe partnerët e koalicionit.
Ne nuk mund të japim gjithçka që Serbia të na njohë dhe kërkesa që po bën qeveria Hoti, aman njiheni Kosovën. E vendos Kosovën në një pozicion që e dëmton shumë Kosovën. Kosova ka mungesë në zhvillimin ekonomik, humbjen e vendeve të punës, etj. Fokusi duhet të jetë te problemet e qytetarëve dhe jo i gjithë potenciali në raport me Serbinë” tha ajo.
Por si duhet të zgjidhet çështja e asosacionit? “Lëvizja Vetëvendosje ka 7 vite që e kundërshton këtë projekt të rrezikshëm. Të gjitha qëndrimet tona, i kemi shpalosur gjatë këtyre 7 viteve. Kjo duhet të ishte temë e mbyllur, edhe gjykata Kushtetuese në 2015 e kundërshtoi. Projekti do të hasë në rezistencë qytete” tha ajo.
E pyetur nëse Kosova ka bërë mjaftueshëm për të dokumentuar krimet e luftës në Kosovë, ajo tha se “Fatkeqësisht Kosova nuk ka bërë asgjë për dokumentimin e secilit krim që Serbia ka bërë në Kosovë, masakra, vrasje, përdhunime dhe dëme materiale, pasi i gjithë qëllimi ka qenë të amnistohet disi Serbia për krimet në Kosovë. Partitë politike që kanë drejtuar, PDK-LDK kanë përgjegjësinë më të madhe se nuk ia kanë përmendur krimet Serbisë.
Beogradi vijon të mbajë 1600 persona që nuk jep informacion për ata, se ku janë trupat e tyre, ndonëse Serbia e di shumë mirë dhe nuk jep informacion. Pa pasur dëmshpërblim për krimet në Kosovë dhe kërkim falje për gjenocidin është e kotë të futemi në një proces dialogu me Serbinë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Është punuar shumë që të amnistohet Serbia, këtu përgjegjësinë e mban edhe UMNIK, i cili dosjet e kriminelëve të luftës i kishte marrë nga vendorët, prokurorët vendorë, por më pas ishin transferuar te UMNIK dhe EULEX, por nuk ka pasur qasje serioze për trajtimin e tyre. Ne nuk e kemi ende institutin për dokumentimin e krimeve të luftës” përfundoi Haxhiu./Abcnews.al