Veton Surroi: Një verdikt tejkushtetues për një dekret tejkushtetues

Vlerësim i shkurtër i Aktgjykimit KO 72/20 të Gjykatës Kushtetuese

Nga Veton Surroi-
1. Dekreti i presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër të vendit ka qenë tejkushtetues, pra ka shkuar tej kompetencave të tij kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka adaptuar dhe adoptuar konceptin tejkushtetues si normë në aktgjykimin e vet të lëndës KO/20. Ja katër shembuj në vijim.

Swiss Digital Desktop Reklama

2. Koha: Gjykata Kushtetuese konstaton se Kushtetuta nuk parasheh afate kohore në të cilat Partia fituese e zgjedhjeve duhet t’ia japë emrin e mandatarit Presidentit. Por, pas këtij konstatimi fillon të përcaktojë vet kohën. Thotë se procesi nuk mund të shkojë i paafatizuar, pastaj cekë afate në procese të tjera vendimmarrje –sa ditë për të votuar Qeverinë e presidentin,- dhe në fund përcakton ‘që ky “konsultim” formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi’.

Swiss Digital Mobile Reklama

‘Sa më shpejtë’ nuk ekziston si formulim në Kushtetutë për arsye të thjeshtë sepse nuk është kategori e matshme. Çka është sa më shpejtë për dikë mund të jetë e ngadaltë për dikë tjetër.

Përcaktimi kohor ‘sa më shpejtë’ si obligim kushtetues nuk besoj të ketë precedent në botë e as në çfarëdo kontrate juridike.

3. Bllokimi: Gjykata Kushtetuese konstaton se procesi i konsultimit nuk mund të bllokojë funksionimin e institucioneve. Megjithatë, Kushtetuta nuk ka nen që e ndalon këtë. Sikur me konceptin ‘kohë’ , çka është bllokim për dikë nuk është bllokim për dikë tjetër. Për më tepër, bllokimi apo zhbllokimi janë mjete legjitime politike në parlamentarizëm.

4. Natyra e konsultimit: Gjykata Kushtetuese konstaton se natyra e konsultimit mes Presidentit dhe partisë fituese në rastin e parë është ‘teknike dhe formale’. Në rast se dështon në përpjekjen e parë, Presidenti ka atëherë të drejtën diskrecionale për konsultim të ‘natyrës’ tjetër. Kushtetuta , megjithatë, nuk përcakton ‘natyra’, rrjedhimisht nuk mund të përcaktojë thellësinë e gjerësinë e komunikimit mes Presidentit dhe Partisë e cila propozon emrin e mandatarit.

5. Shterja: Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se LVV në letërkëmbimin me Presidentin nuk ka refuzuar dhënien e emrit të mandatarit e megjithatë ka vlerësuar se Presidenti pas katër letrave ‘me të drejtë ka konstatuar shterimin e mundësive kushtetuese për të përcaktuar një kandidat për Kryeministër nga partia politike fituese e zgjedhjeve’. Meqë LVV shprehimisht ka thënë se nuk po refuzon dhënien emrit të mandatarit, Presidenti i vendit ka përdorur deduksionin, hamendësimin apo mjete të tjera kognitive për të konstatuar ‘shterimin e mundësive kushtetuese’. Por , deduksioni, hamendësimi apo ndonjë mjet tjetër kognitiv nuk janë normë kushtetuese. Në rastin e letërkëmbimit mes Presidentit dhe kryetarit të LVV kemi të bëjmë me obligimin e dy palëve për kontraktualitet. Çkado që dy palët mendojnë për njëri tjetrin , kanë obligim ta përmbyllin kontratën apo ta refuzojnë shprehimisht përmbylljen e saj. Hamendësimi i Presidentit se a e ka pala tjetër seriozisht apo jo është tejkalim i kompetencave kushtetuese siç është edhe përkrahja që i bën këtij hamendësimi Gjykata Kushtetuese.

6. Mandatimi i A.Hotit për kryeministër është akt legjitim, por vetëm pasi këtë mandatimin do ta refuzonte në formë eksplicite LVV në kohën kur për këtë të ishte e bindur.

7. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në këto pika, pa mbështetje në Kushtetutën e Kosovës krijon problem legaliteti dhe problem legjitimiteti.

Në aspektin legal rithirrja kontinuele e Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur dilemat e interpretimit të normave të Kushtetutës i shndërron Aktgjykimet, si në këtë rast astu edhe në të mëparmet, në norma të reja kushtetuese e më të vlefshme se vet Kushtetuta. Futja e kategorive si ‘sa më shpejtë’ dhe të deduksionit e hamendësimit të Presidentit si norma faktike kushtetuese e çojnë aktin më të lartë juridik në hapësira të papara juridike si këtu ashtu edhe në botë.

Nga ana tjetër interpretimet e këtilla vënë në dyshim legjitimitetin demokratik të institucioneve që ndërtohen më pas. Një Qeveri e Kosovës e ndërtuar në saje të një verdikti të këtillë të Kushtetueses mban pa faj të vetin hijen e dyshimit të cilën ia ka vu një verdikt i këtillë. Në vend të rolit unifikues rreth idesë bazike të sundimit të ligjit, një aktgjykim i këtillë shërben për të thelluar ndasitë politike e shoqërore.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?