Veton Surroi: Turqisë i duhet përgjigjur pa emocion

Nga Veton Surroi

Vendimi për rrëmbim dhe dorëzim të gjashtë qytetarëve turq tashmë ka krijuar edhe incidentin e pritshëm në marrëdhëniet me Turqinë. Reagimi i presidentit Erdogan ishte emocional, ai i Kosovës nuk duhet të jetë i tillë. Megjithatë vendi ynë duhet të reagojë.

Nëse MPJ dëshiron ta bëjë këtë, duke e thirrë ambasadoren turke në Prishtinë ja disa pika që mund të përcillen:
1. Kosova e konsideron Turqinë një aleate të rëndësishme, që nga ditët e ndërhyrjes së NATO-s për liri, ashtu edhe duke prirë në njohje pas pavarësisë.

2. Jemi të brengosur me deklarimin e presidentit Erdogan, aq më shumë kur dimë për ndjenjën miqësore që ka për konsolidimin e Kosovës. Fjalët e adresuara ndaj kryeministrit tonë nuk e reflektojnë sensin tradicional të miqësisë

3. Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj zyrtarëve të saj për mospërfillje procedurash , ligjesh e normash të Kushtetutës së vendit, me rastin e dorëzimit të gjashtë qytetarëve turq autoriteteve të Turqisë. Qeveria është tejet e brengosur me shkeljen e mundshme të konventave evropiane, që , si shtet evropian, janë pjesë e rregullimit tonë juridik.

4. Kryeministri i Kosovës është zgjedhur në procedurë të rregullt demokratike. Mandati i tij rrjedh nga vota qytetare dhe ai i përgjigjet asaj. Ashtu si jemi deklaruar çdo herë, pra edhe me përpjekjen anti-kushtetuese të rrëzimit të pushtetit në Turqi më 2015, ekziston vetëm një formë e përfundimit të mandatit të Kryeministrit,ajo është me Kushtetutën e vendit.

5. Shpresojmë të vazhdojmë komunikimin ,pa këtë barrë të panevojshme emocionale.

SHKARKO APP