Video editorial i “Koha Jonë”: Dashuria e shfrenuar e Ramës për Serbinë
Video editorial i “Koha Jonë”: Dashuria e shfrenuar e Ramës për Serbinë
Në mediat e Tiranës ka shkaktuar reagime të shumta një mesazh admirues që Edi Rama i ka dërguar trajnerit të disa skuadrave të njohura, Sinisa Mihajlovic. Admirimi i Edi Ramës për një ikonë të futbollit nuk është ndonjë gjë e rrallë. E kemi parë si fluturon me charter privat për një foto me Ronaldon apo yje të tjerë. Problemi në mesazhin e fundit është fakti se Sinisa Mihajlovic bën pjesë te yjet ndërkombëtare që mbështesin shovinizmin serb. Mihajlovic njihet si mik dhe adhurues i Arkanit, ushtarakut famëkeq serb që kreu masakra në Kosovë dhe në Bonjë. Mihajlovic është pjesë e lobit ndërkombëtar serb, që imazhin dhe suksesin e tij të merituar në fushë, e ka përdorur për të justifikuar masakrat serbe në fushat e betejës dhe krimet kundër grave dhe fëmijëve të pambrojtur në Kosovë dhe gjithë Ballkani. Për këto arsye, mesazhi i Edi Ramës, Kryeministër i Shqipërisë, si adhurues i tij krijon një hendek të madh moral.
Nëse do të ishte rasti i parë, kur Edi Rama shkrihet në emocione para nacionalistëve serbë, mbase do të kalonte pa vëmendje. Në fakt, gjatë karrierës së tij, Edi Rama ka një sërë rastesh kur paraqet një varësi të çuditshme ndaj figurave kontradiktore të Serbisë. Si kryetar bashkie i Tiranës, Edi Rama do të ishte i pari që pas viteve 50 të shekullit të kaluar që riktheu titujt dhe medaljet për serbët. Dhënia e Çelësit të Tiranës këngëtarit Goran Bregoviç ishte një gjest që shtangu në ato vite Shqipërinë dhe Kosovës. Bregoviçi është i famshëm për këngët e tij që mitizojnë luftërat serbe dhe mbështetjen që u dha ushtarakëve serbë që kryen masakra në Kosovë. Ndaj dhe nderimi me Çelësin e Tiranës të muzës artistike të kasapëve serbë edhe sot mbetet një gjest që tejkalon ndjeshmëritë artistike të Edi Ramës. Kozmopolititët e Tiranës që thonë se arti nuk ka kombësi dhe kryeministri Edi Rama tregoi se është modern, le të imagjinojnë çfarë do të ndodhte në Serbi, sikur Rita Orës apo Dua Lipës t’i jepej Çelësi i Beogradit apo do të mbanin koncert atje. Në Beograd kjo gjë nuk mund të imagjinohet sot dhe jo 15 vite më parë kur Edi Rama nderonte artistin kontrovers serb.
Nëse për Edi Ramën si artist janë të justifikueshme këto akte, si kryeministër i shqiptarëve ka pak vend për alibi. Por artistët serbë nuk janë të vetmit ndaj të cilëve Edi Rama ka dobësi. Gjatë gati tetë viteve në qeveria, kryeministri ynë është shquar dhe për dashurinë politike që ka me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Që pas raporteve personale të Enver Hoxhës me Titon dhe jugosllavët, asnjë politikan tjetër shqiptar i këtyre niveleve nuk ka krijuar marrëdhënie kaq të ngushta me një politikan të lartë serb. Sigurisht nuk jemi kundër dialogut, por kur marrëdhëniet mes Shqipërisë, Kosovës dhe Tiranës janë të tensionuara, dashuria politike e Edi Ramës për Vuçiç është e pashpjegueshme. Aq më tepër që pas kësaj dashurie politike janë fshehur projekte për ndarjen e Kosovës dhe nisma rajonale që kanë dëmtuar interesat e shqiptarëve.
Nëse me Sinisa Mihajloviç dhe Goran Bregoviç, Edi Rama mund të bëjë çfarë të dojë, sepse si çdo njeri dhe ai ka pasionet e tij sportive dhe muzikore, raportet me Vuçiç ka detyrim ti sqarojë. Edhe më i domosdoshëm bëhet ky sqarim pas fakteve të reja të dala nga zyrtarët e BE, ku pranohet se ka ekzistuar një plan për ndarjen e Kosovës. Një plan, ku lidhja e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç nuk ka qenë rastësore.
Lexoni edhe…
- Zyrtarët më të lartë të BE: Kishte propozim për ndarjen e Kosovës
- Shkëmbimi i territoreve, BE u jep goditjen e fundit alibive
- Vojislav Sheshel: Ushtria serbe duhet të futet në Kosovë
- Berat Buzhala publikon foton e Mihajloviçit me Arkanin dhe ka një mesazh për Ramën
- Edi Paloka: Andi Lilën e dëbon, nacionalistëve serbë u dërgon mesazhe adhurimi